Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka mbajtur sot konferencën e fundit të këtij viti për media, në të cilën e ka vlerësuar vitin 2016 si jo të mirë për ekonominë vendore. Shkak për këtë, sipas kësaj ode, ka qenë ndër të tjera edhe kriza e stërzgjatur politike. Nazmi Ejupi nga kjo odë tha se në të shumtën e rasteve qeveria nuk kishte qasje konstruktive dhe nuk ishte e hapur për të dëgjuar propozimet e biznesit. Ndërkohë, si sfera ku çalon Maqedonia e të cilat ceken edhe në Raportin e Progresit të KE, Ejupi ka përmendur mes tjerash, borxhin publik, defiçitin buxhetor, politika selektive e investimeve të huaja, marrëdhëniet fqinjësore dhe infrastruktura.
“Qeveria e Maqedonisë, vazhdoi të theksojë nocionin zhvillim ekonomik, buxhet zhvillimor, projekte zhvillimore etj, por për ne si OEMVP, ky nocion nuk ishte shumë shpresëdhënës, duke njohur situatën reale dhe gjendjen faktike të sektorit privat”, ka deklaruar Nazmi Ejupi, OEMVP.
Ejupi ka akuzuar Qeverinë për politikë selektive në promovimin e zonave ekonomike, duke thënë se investimet e huaja nuk janë të kanalizuara si duhet dhe anashkalohen zonat e Maqedonisë veriperëndimore.
“Kemi mbi 20 zona te lira me mbi 15.000 punësime, por kemi 0 në rajonin veri-perëndimor të vendit, edhe përkundër pozitës më të volitshme gjeostrategjike. Papunësia në rajonin e Pollogut nga viti në vit rritet. Ky fakt flet për mospërfshirje dhe zhvillim të pabarabartë rajonal. Pagat minimale të cilat paguajnë kompanitë e huaja bëjnë që në popullatën tonë të krijohet varfëri, varfëri e cila shifet nga forca e fuqisë blerëse”, tha më tej ai.
Si projekte që nuk u realizuan as këtë vit, Ejupi ka theksuar projekti Shkup-Bllacë dhe lidhja rrugore lindje-perëndim. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore nuk është optimiste se viti 2017 do të jetë i lehtë dhe frytdhënës. Sipas tyre, problemet e brendshme dhe të jashtme të Maqedonisë vështirësojnë skenarin pozitiv.
Teuta Buçi /SHENJA/