Një grua është nxjerrë zvarrë nga Komisariati i Lushnjes. Ngjarja skandaloze dhe e paprecedentë ka ndodhur ditë ne sotme në qytetin e Lushnjes. Pamjet e publikuara nga JOQAlbania tregojnë momentin kur dy efektivë kapin një grua, njëri nga këmbët e tjetri nga krahët dhe e nxjerrin nga ambientet e komisariatit.
Mësohet se gruaja në fjalë kishte shkuar në komisariat për djalin e saj, M. V., 21 vjeç (i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”) por sot ishte konfliktuar me një person me inicialet E. M., 35 vjeç, banues në Lushnjë.
Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar policia, e cila ka sqaruar se janë pezulluar dy efektivët,
NJOFTIMI I POLICISË
Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetase, të cilën punonjësit e Policisë e nxjerrin nga Komisariati i Policisë Lushnjë, sqarojmë se:
Rrethanat e ngjarjes: Ditën e sotme, pas një telefonate në sallën operative, se në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, kishte ndodhur një konflikt, menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë në adresën e dhënë. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi M. V., 21 vjeç (i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”) ishte konfliktuar me shtetasin E. M., 35 vjeç, banues në Lushnjë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin M. V., 21 vjeç, dhe proceduan penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasin E. M.
Gjatë kohës që shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e shtetasit M. V., në Komisariat, shtetasja R. M. (nëna e shtetasit M. V.) ka tentuar të futet me forcë në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe është nxjerrë jashtë nga efektivët e Policisë.
Në lidhje me zbatimin e procedurave standarde nga ana e punonjësve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, rreth orës 17:00, është informuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë, për veprimet e kryera kundrejt shtetases R. M..
Me qëllim pasjen e një hetimi disiplinor sa më objektiv, Drejtori i Përgjithshëm ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësit e Policisë F. H., me detyrë specialist informaconi dhe Sh. S., oficer i patrullës së përgjithshme, si dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të ligjit apo veprim arbitrar të punonjësve të Policisë, duke garantuar paanshmëri dhe reagim të menjëhershëm e profesional.



