VLEN ka reaguar ndaj BDI-së, duke deklaruar se drejtuesit e saj duhet të japin llogari për humbjet në zgjedhjet lokale para se të flasin për zgjedhje të parakohshme.
Sipas VLEN-it, pas humbjeve në disa komuna me shumicë shqiptare, askush në BDI nuk mori përgjegjësi politike. Në reagim përmenden Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Bajram Rexhepi dhe Faton Ahmeti, për të cilët VLEN pretendon se, pavarësisht rezultateve zgjedhore, vazhduan të mbajnë ose edhe të marrin poste të rëndësishme në parti.
“Në BDI, me sa duket nuk ka përgjegjësi për humbjen, por humbësit shpërblehen”, thuhet në reagim.
VLEN përmend gjithashtu Haraçinën, Bogovinën, Tearcën, Strugën, Zhelinën, Sarajin dhe Dollnenin, duke akuzuar udhëheqjen e BDI-së se, edhe pas humbjeve në këto komuna, nuk pati dorëheqje apo ndryshime në strukturat drejtuese.
Sipas VLEN-it, deklaratat e BDI-së për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë përpjekje për të ruajtur të njëjtën udhëheqje politike dhe për të krijuar pritshmëri për rikthim në pushtet.
“BDI-ja e di shumë mirë se shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare”, thuhet më tej në reagim, ku shtohet se çdo përballje e re me qytetarët do të ishte një tjetër humbje për këtë parti.
VLEN e përmbyll reagimin duke vlerësuar se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do ta japin verdiktin përfundimtar ndaj, siç e cilëson, “një udhëheqjeje të pareformuar” të BDI-së.
The post VLEN: BDI-ja e ka humbur betejën me shqiptarët, zgjedhjet do ta vulosin fundin appeared first on TV-SHENJA.


