Dritan Rexhepi ka mohuar përfshirjen në rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, duke deklaruar se nuk është “Gramozi nga Vlora” që përmendet në përgjimet e dosjes hetimore. Ai ka theksuar se në kohën e ngjarjes ndodhej në burg prej më shumë se pesë vitesh dhe kontaktet i kishte vetëm përmes kabinës së burgut.
Rexhepi ka përmendur disa emra të lakuar në media dhe dosje, si Gentian Docaj, Martin Bleta dhe Korado Gështenja, duke thënë se nuk i njeh dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me ta.
Ai shton se në fëmijëri është quajtur Gramoz, por emrin zyrtar e ka Dritan, dhe vetëm familjarët e kanë thirrur me atë emër në të kaluarën. Rexhepi e ka cilësuar akuzën si të pabazë dhe ka kërkuar publikimin e përgjimeve që supozohet ta implikojnë.
Dritan Rexhepi: Kisha më shumë se 5 vite që vuaja dënimin. Kisha kontakte me njerëzit jashtë përmes kabinës së burgut. Shqiptarë aty kishte plot në burg, afërsi kisha me njërin nga Kosova. Për trafik droge u akuzova me 10 persona të tjerë, aso kohe i përfshirë ishte edhe një shqiptar, i cili doli i pafajshëm. Gentian Docaj ( Funiqi) e kam dëgjuar në media dhe në dosjen e kam lexuar. Emri nuk më thotë gjë. Me Gentjan Funiqin nuk kam pasur njohje, kurrë në jetë. Martin Bleta nuk e kam të dëgjuar, as Korado Gështenja.
Nëpërmjet një familjari u mundova të marr informacione, dhe më kanë thënë se dhe më thanë qe ka disa përgjime mes një personi që ka thënë jam Gramozi nga Vlora dhe familjarëve të familjes. Këto përgjime telefonike nuk kanë dalë kurrë. Pse nuk i nxirrni, kur thuhet që ka përgjime mes meje dhe familjarëve të viktimës. Nuk jam unë personi. Ka ardhur dhe vetë vëllai i viktimës këtu dhe ka thënë këto fjalë. Unë nuk i njoh ata persona. Unë mbaj përgjegjësi ca bëj unë, jo ç’thonë të tjerët.
Gazetarët po më bënin copa në media. Problemi ishte i hasmërisë sepse po akuzohesha se kisha marrë një person peng. Unë nuk jam Gramozi nga Vlora qe flitet aty. Gramoz nga Vlora ka 500 vetë. Pa bërë asnjë lloj hetimi akuzohem unë. Unë kisha një emër, Dritan. Emrin Gramoz e kam patur në fëmijëri, deri në moshën 25 vjeç. Vetëm familjarët me thërrisnin Gramoz. Nuk jam i martuar, kam fëmije me një ekuadoriane si dhe dy fëmijë 5 dhe 3 vjeç.