Pjestarët e MPB-së gjatë ditës së djeshme arrestuan një zyrtar policor të dyshuar se kishte marrë një ryshfet prej 50 eurosh.
Sipas informacioneve nga Prokuroria, punonjësi i Seksionit për të Huaj dhe Riatdhesim, më 16 janar ka thirrur viktimën në ambientet e shërbimit, pasi ajo kishte humbur pasaportën dhe duhej të nxirrte një të re. Pa kryer kontrolle për pasaportën e humbur dhe pa ndjekur procedurat e zakonshme, ai i ka dhënë një kupon pagese për të paguar për lëshimin e pasaportës së re. Pasi e ka paguar shumën, viktima është kthyer në ambientet e Departamentit për Çështje Administrative dhe i ka dorëzuar kuponin pagese të dyshuarit.
Kur e ka pyetur për kohën e procedurës për lëshimin e pasaportës, polici ka përgjigjur se është e nevojshme të pritet nga 6 deri në 12 muaj. Kur gruaja ka protestuar, i dyshuari, duke lëvizur gishta, i ka treguar se duhet të paguajë 50 euro për shërbimin, duke thënë: “E dini që ne nuk punojmë kot.”
Viktima ka thënë se nuk kishte para me vete dhe e ka pyetur nëse është problem ta presë dhe t’i marrë paratë, dhe nëse nuk mund të arrijë gjatë ditës, t’ia dorëzojë nesër. I dyshuari ka pranuar dhe ka thënë se do ta presë për të përfunduar punën. Pas daljes nga ndërtesa, viktima, duke qenë e vetëdijshme se ajo që i dyshuari kërkoi, duke i kërkuar para pa i depozituar ato në llogari për të marrë pasaportën më shpejt, është vepër penale, e ka raportuar rastin në stacionin policor. Gjatë ditës së djeshme, ajo ia dorëzoi të dyshuarit banknotën e trajtuar kriminalistikisht, e cila u gjet gjatë kontrollit.
Prokurori i çështjes ka lëshuar një urdhër për të nisur procedurën hetimore kundër të dyshuarit dhe ka propozuar që gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup të caktojë një masë paraburgimi prej 30 ditësh për të dyshuarin.