Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka qenë e pranishme në stadiumin ‘Air Albania’, ku po zhvillohet vaksinimi i 42 mjekëve dhe infermierëve, staf mjekësor i pavionit Covid të pediatrisë.
Manastirliu deklaroi se do të vijohet me vaksinimin e kombinuar, sipas planit kombëtar të vaksinimit antiCOVID.
“Sot po vaksinohen 42 mjekë, infermierë të pavionit Covid të Pediatrisë dhe të spitaleve COVID. Përgjatë gjithë javës së shkuar, ku ne kemi filluar planin tonë të vaksinimit me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe një pjese të epidemiologëve të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe disa qyteteve përreth. Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e lëvrimit të vaksinave të para. Ndër të tjera, Manastirliu u shpreh se pas mjekëve dhe infermierëve, ata që do të vaksinohen janë të moshuarit në azile dhe ata mbi 75-vjeç.
“Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarive në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha Manastirliu.



