Ka nisur në Durrës stërvitja më e madhe ushtarake e 30 viteve të fundit në vendin tonë, Defender 21. Forcat tona të Armatosura, përveç pjesëmarrjes me rreth 1000 trupa, kanë përgatitur edhe infrastrukturën ndihmëse për pritjen e kolegëve të tyre nga vendet aleate, përfshirë edhe Amerikën.
Stërvitja “Defender Europe 2021” do të zhvillohet në periudhën 26 prill-20 qershor 2021 në territorin e Shqipërisë dhe në këtë stërvitje do të angazhohen 3.100 trupa nga vendet anëtare të NATO-s dhe vende të tjera aleate, 10 anije, 18 avionë, 19 helikopterë, 6 sisteme raketash “Patriot” dhe 1.000 automjete joluftarake. Stërvitja e NATO-s në Shqipëri, “Defender Europe 2021” është konsideruar jo vetëm një tregues i nivelit të ngushtë të bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve të ngushta që Shqipëria ka me SHBA, por ajo do të thotë shumë dhe në aspektin financiar, sepse pritet të rriten të ardhurat në strukturat ushtarake.