Situata e krijuar nga zjarri në territorin e Bashkisë Krujë është përkeqësuar ndjeshëm gjatë mbrëmjes së sotme, duke detyruar autoritetet të nisin evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.
Mijëra banorë po largohen nga lagjet e Krujës për shkak të avancimit të flakëve, ndërsa raportohet edhe për shkëputje të energjisë elektrike në qytet.
Ndër zonat më të rrezikuara është Barabiti, ku banorët raportojnë se zjarri ka mbërritur pranë banesave. Sipas dëshmive nga terreni, të paktën dy shtëpi janë djegur.
“Situata është shumë e keqe. Shteti s’ka marrë asnjë lloj mase. Kjo lagje mund të ketë mbi 100 shtëpi, pa shkuar te pallatet. Dy banesa janë djegur”, deklaroi një banor i lagjes Barabit.
Banorët nxirren nga zonat e rrezikuara
Për shkak të rrezikut nga avancimi i flakëve, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm në zonën Barabit–Luban, ndërsa në zona të tjera pranë vatrave po kryhet evakuim i pjesshëm.
Në terren raportohet se disa banorë kanë kundërshtuar të braktisin shtëpitë e tyre, duke detyruar strukturat e angazhuara në operacion t’i largojnë nga zonat e rrezikuara.
Prioritet gjatë evakuimit u është dhënë fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara.
Operacioni po zhvillohet në koordinim mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefekturës së Qarkut Durrës, Bashkisë Krujë, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe strukturave zjarrfikëse.
Bashkia ka njoftuar se do të sigurojë strehim të përkohshëm për personat e evakuuar, regjistrimin e tyre, nevojat bazë dhe asistencën shëndetësore.
Në Krujë kanë mbërritur edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, të cilët po ndjekin situatën dhe koordinimin e operacioneve të emergjencës.
Lamallari u bëri thirrje qytetarëve që të mos kundërshtojnë urdhrat për evakuim.
“E kuptojmë që pasuria, prona e bërë me shumë mund e kursime gjatë jetës suaj janë të shtrenjta, por nuk ka gjë më të shenjtë sesa vetë jeta. Bashkëpunoni me forcat e policisë”, deklaroi ai.
Edhe ministri Nufi u kërkoi banorëve të zbatojnë udhëzimet e strukturave në terren, duke theksuar se mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioritet.
Helikopterët largohen me rënien e natës, flakët marrin sërish hov
Për shkak të terrenit të vështirë, gjatë ditës është ndërhyrë edhe nga ajri. Me afrimin e natës, helikopterët janë larguar nga zona, pasi operacionet ajrore nuk mund të vijojnë në kushtet e errësirës.
Pas ndërprerjes së ndërhyrjes nga ajri, flakët raportohet se kanë marrë sërish hov dhe po avancojnë drejt zonave më të ulëta, duke shtuar rrezikun për banesa dhe biznese.
Vatra e zjarrit është përhapur në disa drejtime dhe kërcënon lagjet Luban, Barabit dhe Abaze, si dhe zonën e Rrugës së Malit. Flakët kanë avancuar gjithashtu në drejtim të Ali Lamit dhe Kërçinës.
Situata veçanërisht shqetësuese raportohet në lagjen Abaze, ku rreth 30 banesa ndodhen nën kërcënimin e drejtpërdrejtë të zjarrit. Në këtë lagje raportohet se ndodhen rreth 300 banesa.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve që të mos rrezikojnë jetën për të mbrojtur pronën dhe të zbatojnë menjëherë urdhrat për evakuim. Operacioni i emergjencës vijon në terren gjatë natës, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të përhapjes së flakëve.



