Ligji për përdorimin e gjuhëve u shtrua sot për debat në komisionin për çështje evropiane, por shumë shpejt salla u shndërrua në një arenë përplasjesh mes ish partnerëve qeverisës, BDI-së dhe VMRO-së. Ministri i drejtësisë, tha se propozim ligji i gjuhëve rrumbullakson pjesën legjislative të Marrëveshjes së Ohrit.
“Qëllimi themelor i miratimit të ligjit është zbatimi konsekuent i amendamenteve kushtetuese në lidhje me një tekst ligjor që ka të bëjë me përdorimin dhe aplikimin e gjuhës të cilën e flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë dhe të alfabetit të saj. Njëkohësisht rregullohet edhe përdorimi i gjuhëve të tjera të cilat i flasin bashkësitë që janë më pak se 20%”, ka deklaruar Bilent Saliu, ministri i drejtësisë.
Nga VMRO-DPMNE kërkuan fillimisht që ligjit ti hiqet sigla e BE-së, me arsyetimin se në propozim tekst askund nuk përmendet se me cilin ligj të BE-së harmonizohet ky ligj.
“E shoh se ka interes të madh edhe nga përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE_së dhe në këtë kontekst do të kërkojë që të mos fillojë komisioni ku keqpërdoret flamuri evropian për një ligj që nuk ka asnjë pikë dhe nuk theksohet në propozim ligj asnjë rregullativë e BE-së”, ka deklaruar deputeti I VMRO-DPMNE-sw, Antonio Milloshoski.
Nga BDI akuzuan VMRO-DPMNE se tenton t’ua kufizojë shqiptarëve të drejtat. Xhevat Ademi në fjalimin e tij pranoi se ligji për gjuhët nuk përmbush as pritjet e tij personale.
“Mendja e robëruar cakton nivelin e të drejtës së pjesëtarit të komunitetit tjetër në shtetin e përbashkët. Shumë më mirë do ndihesha, shumë më saktë gjuhësisht do të ishte që në vend të gjuhës që flasin 20% të ishte gjuha shqipe, por nuk e lejon Kushtetuta do të thoshte profesori i nderuar, i pranishëm këtu. Dhe unë duke qenë praktik nuk jetoj në ëndrra të realizoj me këmbëngulje në moment atë që dua, por bëj atë që mundem tash”, ka thënë Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.
Në kundërpërgjigjen e tij, Milloshovski akuzoi BDI-në dhe kryetarët e komunave nga radhët e kësaj partie se janë fajtor kryesor për mosrealizimin e të drejtave të shqiptarëve. Ai akuzoi ata se kanë kërkuar mito dhe korupsion nga shqiptarët dhe i kanë shkatëruar komunat shqiptare.
“BDI me 5,10,15 vjet në pushtet, duke mos mundur të punësojë një shqiptarë sipas MO-së dhe të mos I mer mito, tani I ofron propozim ligj që ta kompenzojë atë që ishte e paaftë tja afrojë qytetarit shqiptar sit ë drejtë. Në Cair nuk mund të merni asnjë vërtetim ose dokument pa dhënë korupsion. Përse BDI humbi në Çair, sepse i shkatëroi shqiptarët. Interesi jonë është që çdo qytetarë të ndjehet më mirë dhe të ketë kushte më të mira për jetë. Nuk mundet korupsioni në Çair të mos jetë problem, ndërsa ligji për dygjuhësi të jetë problem”, ka thënë Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Debati për ligjin për gjuhët në komisionet parlamentare mund të zgjas më së shumti tre ditë dhe më pas duhet të hyjë në seancë plenare në lexim të parë. Askush në Kuvend nuk mund ta thotë me saktësi se kur mund të pritet miratimi i këtij ligji me të cilin synohet avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Arben Zeqiri /SHENJA/

