Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, bëri të ditur se është realizuar kërkesa për renovimin e objektit të shtëpisë së shëndetit të Shoqatës së Pensionistëve dhe Punëtorëve me Aftësi të Kufizuara në Prizren, falë mbështetjes së TİKA-s. Ajo theksoi se me këtë projekt pensionistëve të Prizrenit do t’u ofrohen shërbime shëndetësore falas.
“Ky projekt ka nisur para gjashtë muajsh dhe sot kemi kënaqësinë të festojmë përfundimin e tij me sukses”, u shpreh Rexhepi, duke falënderuar nënkryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, Dr. Mehmet Çevik, për përkrahjen financiare nga Ankaraja.
Edhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, përshëndeti realizimin e projektit, duke theksuar se, në bashkëpunim me Qendrën e Mjekësisë Familjare dhe Drejtorinë e Shëndetësisë, kjo ordinancë do ta lehtësojë situatën e Shoqatës së Pensionistëve.
Nënkryetari i TİKA-s, Dr. Mahmut Çevik, shprehu kënaqësinë për realizimin e këtij projekti dhe theksoi se kjo kërkesë ka ardhur drejtpërdrejt nga pensionistët e qytetit të Prizrenit.
Në emër të pensionistëve, falënderim për mbështetjen dha edhe Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve dhe Punëtorëve me Aftësi të Kufizuara të Prizrenit, Jusuf Vraniqi.
Gjashtë muaj më parë, Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe nënkryetari i TİKA-s, Dr. Mahmut Çevik, kishin vizituar Shoqatën e Pensionistëve në Prizren. Gjatë këtij takimi, ishte diskutuar për mbështetjen ndaj komunitetit të të moshuarve dhe përmirësimin e kushteve dhe funksionalizimin e hapësirës së shoqatës.