Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, në Kuvend u zhvillua sot një aktivitet me nxënës të shkollave fillore, ku u diskutua për vlerat demokratike, rolin e parlamentit dhe rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën shoqërore.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Kuvendit dhe të Ambasadës së Zvicrës. U theksua se demokracia mësohet që në moshë të hershme, përmes respektimit të mendimeve të ndryshme, pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe angazhimit në komunitet.
Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski, u shpjegoi nxënësve se Parlamenti miraton ligje që rregullojnë jetën e përditshme të qytetarëve. Ai përdori si shembull zgjedhjen e një destinacioni për ekskursion, duke theksuar se demokracia nënkupton që secili të ketë të drejtë të shprehë mendimin dhe vendimi i shumicës të respektohet.
“Ai që mendon ndryshe nuk është armik i atij që mendon ndryshe”, tha Milloshoski, duke shtuar se respektimi i vendimit të shumicës, edhe nga ata që nuk arritën ta imponojnë qëndrimin e tyre, është shenjë e kulturës politike dhe demokratike.




