Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar vendimin për përsëritjen e votimeve në vendvotimin me numër 2901 në komunën e Çairit. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së sotshme të KSHZ-së, me 8 vota pro dhe asnjë kundër, me arsyetimin se rezultati në këtë vendvotim mund të ndikojë në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve në Komunën e Çairit. Rivotimi në vendvotimin 2901 do të mbahet më 12 nëntor, gjegjësisht 14 ditë pas mbajtjes së rrethit të dytë të zgjedhjeve.
Aleksandar Çiçakovski, kryetar i KSHZ-së
”Propozim-vendimin me të cilin përsëritet votimi në përputhje me nenin 151 pika 3 nga Kodi Zgjedhor, përsëritet votimi nga rrethi i dytë zgjedhor nga zgjedhjet lokale të vitit 2017 në vendvotimin 2901 në Komunën e Çairit, për listën e kandidatëve për kryetar të Komunës, për shkak se numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në këtë vendvotim ndikon në rezultatet e përgjithshme në Komunën e Çairit, si dhe përsëritja e votimit në këtë vendvotim do mbahet më 12 nëntor 2017 përkatësisht 14 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. E vendosi në votim. Kush është PËR? Konstatoj se me tetë vota pro dhe asnjë kundër, miratohet vendimi”
Ndryshe ky vendim i KSHZ-së, vjen pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes Besa për rivotim në vendvotimin 2901. Numri i votave në këtë vendvotim ka shumë gjasa që të ndryshojë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe të përcaktojë fituesin, për shkak të numrit të madh të votuesve të regjistruar dhe dallimit të ngushtë mes dy kandidatëve që shkuan në balotazh.
Dallimi mes Visar Ganiut të BDI-së dhe Zeqirja Ibrahimit të Lëvizjes BESA, pas rrethit të dytë të votimeve ishte 209 vota, ndërsa në vendvotimin 2901 ka gjithsej 719 votues të regjistruar. Prej tyre në rrethin e dytë kishin votuar vetëm 278 persona, prej të cilëve Zeqirja Ibrahimi kishte fituar 164 vota, Visar Ganiu 98 dhe 17 vota kanë qenë të pavlefshme.
Nëse kandidatët marin përsëri votat e fituara në rrethin e dytë, vendimtar për përcaktuesin e fituesit në këtë komunë do të jenë 441 votuesit të cilët nuk kanë votuar në rrethin e dytë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/

