
Njëqind e shtatëmbëdhjetë shtetas, nga gjithsej 284 të paraqitur, sot votuan në ambasadën e Maqedonisë në Bruksel, në suaza të votimit të diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë.
Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, ajo që e shënoi votimin e sotëm në kryeqendrën evropiane ishte revolti dhe pakënaqësia e një numri të madh të shtetasve të Maqedonisë në vendvotimin 5003, pasi që sipas tyre, edhe pse, rregullisht janë paraqitur, ndërkaq, sot nuk arritën ta realizojnë të drejtën e tyre të votimit dhe të votojnë.
Sipas këshillit zgjedhor në vendvotimin në Mbretërinë e Belgjikës, saktë 52 persona janë kthyer, sepse nuk kanë qenë në listën e votuesve.
Përndryshe, gjithsej 20.573 shtetas të Maqedonisë janë regjistruar për votimin e sotëm në diasporë, të cilët kishin të drejtë ta realizojnë në 46 përfaqësi konsullore diplomatike.