Deputeti socialist Vullnet Sinaj, në fjalimin e tij në Kuvend tha se ka mbajtur dhe do të mbajë qëndrimin se reforma territoriale nuk është e duhura.
Por, shtoi se sot është mbajtur mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së dhe aty është marrë vendimi politik, që të votohet reforma territoriale. Kështu, Sinaj theksoi se do të mbajë të njëjtin qëndrim me grupin e Partisë Socialiste.
Pas kësaj, kreu demokrat Sali Berisha shpërtheu në Kuvend. Berisha i tha Sinajt se e hëngri turpin me bukë.
“Vullnet, dole këtu dhe u ktheve në eunuk. Kjo nuk shkon, fjalim hipokrit mbajte në parlament. Edhe ti u palose, e hëngre turpin me bukë. Emri yt do jetë në shtyllën e turpit.
Fjala jote është funerali i Bashkisë së Selenicës. Shtylla e turpit në atë bashki do të ngrihet dhe emri yt do shkruhet me gërmat më të zeza. Mbaje mend këtë se do të ndodhë”, tha Berisha.
Pas fjalës së Berishës, foli deputeti socialist. Vullnet Sinaj i tha Berishës se e ka kursyer atë prej moshës.
“Sali Berisha, jam ruajtur kaq vjet që të të mos ngacmoj dhe të të mos flas në parlament për të zezat që i ke bërë Vlorës dhe Shqipërisë. Të kam ruajtur vetëm për moshën, se prisja që të dilje në pension.
Dhe që kryetari i një partie të djathtë të sulmojë biznes, ky është një turp. Por ti nuk je as i majtë dhe as i djathtë, ti duhet të ikësh sa më shpejt nga ky parlament që të shpëtojë Kuvendi nga ty për idetë që ke dhe fjalët që thua. Sa për vendimmarrjen time Sali, është vendimmarrja ime dhe është e lirë. Është shenjë e burrërisë dhe e besës”, deklaroi Sinaj.



