21 November
Këtë të enjte fillon zbatimi i masave të para afatshkurta të Qytetit të Shkupit kundër ndotjes së ajrit. Kreu i Shkupit Petre Shilegov paralajmëroi se fillimisht do të zbatohet masa e pastrimit të rrugëve në çdo komunë të kryeqytetit.
Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me Agjencinë për punësim dhe ministrinë e Punës Sociale angazhon qindra persona të papunë të cilët së bashku me ndërmarrjet kompetente do ta zbatojnë këtë aksion pastrimi. Kjo është njëra nga masat afatshkurta që po merret këtë dimër. Është evidente niveli i ndotjes së ajrit i cili vjen edhe si pasojë e pluhurit që është nëpër rrugë e që nuk është i pastruar me vite. Planifikojmë këtë pluhur ta mënjanojmë dhe secila komunë e Shkupit do të pastrohet gjatë periudhave kohore të nevojshme. Secila masë e cila do të miratohet do të ndahet me opinionin – deklaroi Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Aksioni i pastrimit do të fillojë në komunën e Butelit, më pas në Shuto orizar, në Cair, Gazi Babë, Aerodrom, Kisella Vodë ,Qender, Karposh, Gjorce Petrov dhe më në fund do të pastrohet komuna e Sarajit. Qyteti i Shkupit viteve të fundit ka shënuar nivel alarmant të ndotjes së ajrit. Grimcat e dëmshme PM10 dhe PM 2,5 në kryeqytet kanë qenë prezentë në masë të madhe shumë herë jashtë limiteve të lejuara ndërkaq pavarësisht kësaj situate dhe paralajmërimeve të shpeshta të autoriteteve të vendit, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë masë afatgjate për zgjidhjen e këtij problemi jetik.
Vjollca Aliti

