07 November
Niveli i lartë i ndotjes së ajrit ka rritur dukshëm numrin e pacientëve nëpër spitale. Mjekët thonë se gjatë muajit të fundit numri i pacientëve është trefishuar. Simptomat e zakonshme të cilat kanë manifestuar pacientët gjatë kësaj periudhe, sipas mjekëve janë të ngjashme, edhe atë probleme të theksuara me frymëmarrjen. Mjekët thonë se fëmijët me imunitet të dobët dhe ata me probleme të mushkërive e vuajnë më së tepërmi këtë kualitet të ajrit, ndërkaq shtojnë se kjo gjendje ndihmon shumë edhe në përhapjen e virozave.
Muajin e fundit, më mirë thënë tre javët e fundit numri i pacientëve është rritur dyfish madje trefish nga fluksi i zakonshëm i pacientëve të cilët vijnë me simptoma të ngjashme, sekrecione hundësh, probleme me frymëmarrjen e të ngjashme. E gjithë kjo është rezultat i ajrit të ndotur i cili në vendin tonë ndihmon përhapjen e virozave të ndryshme apo gripit. Ata që më së shumti e vuajnë këtë gjendje janë fëmijët të cilët kanë imunitet t dobët. E gjithë kjo fillon me ndezje të hundëve, ata që kanë probleme me mushkëritë apo sëmundje kronike, si alergjitë e ndryshme apo astmë, e ndjejnë më rëndë këtë gjendje – deklaroi Vesna Atanasovska, Mjeke.
Alsat M mëson se spitali i fëmijëve në Kozle nuk ka kapacitete për pranimin e pacientëve si pasojë e rritjes së madhe të numrit të pacientëve. Mjekët madje alarmojnë se pos fëmijëve me sëmundje të mushkërive dhe imunitet të dobët, numri i fëmijëve të sëmurë të cilët asnjëherë më parë nuk kanë pasur probleme me frymëmarrjen është shtuar dukshëm. Ndryshe, gjatë ditës së enjte pritet që ministria e Shëndetësisë së bashku me ministrinë e Ambientit dhe institucione tjera kompetente të dalin me rekomandime dhe masa konkrete sa i përket mbrojtjes së shëndetit nga niveli i ndotur i ajrit.
Vjollca Aliti

