08 November
Banorët e Shkupit, Tetovës dhe Velesit sot sërish u përballën me indeksin më të lartë të ndotjes së ajrit. Ndërsa qytetarët angazhohen për të siguruar maska mbrojtëse, ministri i ekologjisë Sadulla Duraku bashkë me kreun e Shkupit Petre Shilegov dhe përfaqësuesit e UNDP-së prezantuan disa nga masat që do të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Mes tjerash u përmend subvencionimi i filtrave nëpër insitucione, ngrohja me peleta, ulja e çmimit të biletave për transport dhe shtrenjtimi i çmimit të parkimit si dhe ndalesë për qarkullimin e makinave joekologjike.
Subvencionimi i filtrave nëpër institucione, subvencionimi i pastruesve të ajrit nëpër institucionet specifike si çerdhe, shkolla, spitale… Do të vazhdojmë për të kërkuar nëpër ndërmarrje vënien e filtrave dhe të marrin lejen integruese A, do të stimulojmë për vetura elektrike, do të rrisim inspektimin dhe kontrollin nga Inspektoratet e shtetit – deklaroi Sadulla Duraku, ministër i Ekologjisë.
Kryetar i Shkupit, Petre Shilegov tha se në bashkëpunim me MPB-në do të kërkoj ndryshime në ligjin për kontroll teknik të makinave. Gjithashtu, Shilegov tha se përmes shtrenjtimit të biletave për parkim do të nxisë qytetarët sa më shumë të përdorin transportin publik, çmimi i të cilit do të jetë shumë më i lirë krahasuar nga atë ekzistues.
Ideja është se çdo makinë duhet të marë një tiketë ngjitëse me ngjyrë të caktuar, të ngjashme me ato që marrim gjatë regjistrimit të makinave, pastaj në mënyrë administrative si kryetar i Qytetit të ndalojë qarkullimin e makinave me tiketë të kuqe, ndërsa me të gjelbër ose të verdhë do të qarkullojnë. Do të bëjmë analizat e kategorizimit të makinave sipas standardeve të BE-së….Planifikojmë që në të ardhmen të fillojmë bisedime me operatorët që përdorin sistemin qendror që si të krijojmë çmim më të lirë të ngrohjes dhe kyçje më të madhe të amvisërive – tha Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.
Ndërkohë, në një hulumtim të UNDP-së thuhet se amvisëritë përmes ngrohjes me dru dhe materialeve ndotëse përbëjnë 1/3 e ndotësve kryesor të ajrit.
UNDP-ja ka bërë një hulumtim dhe ky hulumtim tregon se amvisëritë janë ato që bëjnë pjesë me 1/3 e ndotjes së ajrit, pastaj bën pjesë transporti, industria dhe ndërtimtaria. E para do të ishte ndërrimi e shporeteve për ngrohje, nga ngrohje me dru në ngrohje me peleta. E dyta do të ishte investime në izolimin e shtëpive për shkak se një numër i madh i amvisërive nuk kanë izolim të duhur dhe treta sa më shumë amvisëri të kyçen në ngrohjen qendrore – deklaroi Luiza Vinton, UNDP
Sipas përfaqësuesve shtetërorë, këto janë vetëm disa nga masat sugjeruese ndërkohë një sërë masash tjera pritet të harmonizohen ditëve në vijim. Masat e larpërmendura, siç thanë përfaqësuesit e Ministrisë së Ekologjisë, pritet të fillojnë realizimin e tyre pas miratimit të buxhetit për vitin 2018.
Melihate Rustemi

