Ndihma ekonomike e qeverisë për të mbijetuar krizën e shkaktuar nga pandemia ishte e vlefshme afër një miliardë euro. Për masat e ndryshme ekonomike janë harxhuar gati 280 milionë euro nga arka e shtetit deri në fund të vitit 2020. Njëherësh, gati 300 milionë euro janë kredi të volitshme dhe me kushte të favorshme për kthimin e tyre të cilët pjesërisht janë realizuar dhe do të vazhdojnë të realizohen edhe sivjet. Në pakot e fundit parashikoheshin dy herë nga 100 milionë kredi të reja përmes Bankës për Zhvillim, ndërsa në pakon e tjera u ofruan me dhjetëra milion kredi tjera me kamata të ulëta, si dhe grejs periudha apo anulimi i pagesës së kësteve të kredive për disa muaj. Një pjesë e ndihmës ekonomike nuk është realizuar me kohë si rrjedhojë e vonesës së miratimit të zgjidhjeve ligjore, pjesa tjetër ka ngecur në realizimin deri në fund të saj, ndërsa ekzistojnë edhe masa që janë në realizim e sipër. Për subvencionimin e pagave janë dhënë 141 milionë euro, për ndihmën firmave ndahen 33 milionë euro, për kartelat pagesore afër 50 milionë euro… Me fjalë të tjera, janë mbështetur 15 mijë kompani për pagesën e pagës dy herë nga gjashtë muaj. Kartela pagesore me vlerë prej 6000 denarë kanë fituar 283 mijë qytetarë në vlerë prej 27.6 milionë euro.
Ministria e Ekonomisë ndërkohë ka realizuar masën e përkrahjes financiare për kompanitë, me të cilën janë përkrahur 400 kompani që kanë investuar në periudhën pandemisë dhe pas pandemisë me 17.3 milionë euro, si ndihmë direkte e shtetit në kuadër të masave për menaxhimin e pasojave negative të pandemisë, ndërsa Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ka realizuar 19 milionë euro për të ndihmuar qytetarët. Deri më 15 dhjetor janë shfrytëzuar 64.675 vauçerë për turizmin vendor, për çka janë paguar afër 400 milionë denarë si subvencion për kapacitetet hotelerike vendore. Vitin e kaluar u realizuan edhe më shumë masa dhe ndihma të tjera për qytetarët dhe biznesin. Në ndërkohë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se kriza e shkaktuar nga Covid-19, ishte kriza më e madhe shëndetësore dhe ekonomike me të cilën është ballafaquar vendi jonë. Mirëpo, shton ai, duke ju falënderuar katër pakove ekonomike, nuk u lejua të ketë ulje më të madhe se 4.4 për qind në vitin 2020 falë një sërë masash për zbutjen e pasojave të krizës.
“Totali i të gjithë pakove të siguruara në vitin 2020 ishte afër një miliardë euro apo afër 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. U siguruan teste falas, ndihmë për personelin mjekësor, përkrahje financiare për 500 mijë qytetarë më të goditur nga kriza përmes bartjes së mjeteve në llogaritë e tyre transaksionale, u ruajtën afër 100 mijë vende pune përmes përkrahjes së 15 mijë kompanive të goditura nga kriza përmes financimit të një pjesë të pagave dy herë nga tre muaj”, thekson Besimi. Sipas tij, masat kanë dhënë rezultat ku pas rënies së PBB-së prej 14.9 për qind në tremujorin e dytë, është shënuar zbutje e rënies me 3.3 për qind në tremujori e tretë të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, afaristët thonë se ndihma shtetërore ka qenë e mirëseardhur për biznesin që të zbusë pasojat e krizës, mirëpo shtrojnë edhe dilemën se sa ajo ka mundur të jetë më e madhe.
“Nuk mund të themi se shtet kemi ndërmarrë masat më të mira të mundshme në raport me krizën, mirëpo nuk kemi dështuar. Në përgjithësi as shteti dhe institucionet shtetërore dhe as sektori privat nuk ishin në nivelin më të mirë të mundshëm, por megjithatë mbajtën një gatishmëri deri tani që të mund të tejkalohet kriza e pandemisë”, thotë numri një i Odës ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski. Sipas tij, nuk mund të mohohet fakti se shteti ndihmoi aty ku mundej, dhe u mbajt struktura e biznesit. Sfidë do të mbeten pasojat e pandemisë ndaj ekonomisë që do të zgjasin edhe dhjetë vite, si dhe periudha kur do të ndalet ndihma shtetërore për firmat, kur do të duhet të mendohet të përkrahen më të fuqishëm 300 deri 500 kompanitë më të suksesshme që duhet ekonominë ta çojnë para, si dhe të sigurohet sundimi i së drejtës konstaton Azeski. (koha.mk)




