Alsat 2020-03-02T19:08:52+01:00
Zv/ministrja e Arsimit nga radhët e LSDM-së, Elizabeta Naumovska për Alsat tha se për vendimi për ndërrimin e emrave të shkollave në Çair nuk është bërë me pëlqimin e saj. Sipas Naumovskës, ministri i Arsimit nuk e ka njoftuar për ndryshimet e bëra dhe paralajmëroi shqyrtimin e vendimit, nëse i njëjti është legjitim.
Ndryshe, Regjistri Qendror ka kaluar emrat e dy shkollave të Çairit, të cilat për vite të tëra u shfrytëzuan për manovrime politike. Megjithatë mbeten të paqarta procedurat e emërtimit të shkollave. Ministri i Arsimit Arbër Ademi u lavdërua se tanimë është mbyllur çështja me emrat e shkollave. Ademi dokumentet e Regjistrit Qendror i publiko në facebook duke theksuar se shkolla fillore “Nikolla Vapcarov” tani e tutje është “Imri Elezi”, ndërsa “Rajko Zhinzifov” emërtohet “Ismail Qemali”. Nga ana tjetër ndërrimin e emrave për Alsat e konfirmoi edhe kreu i Çairit Visar Ganiu, por pa sqaruar nëse vendimi ka kaluar është në Këshillin e Komunës së Çairit ku votimi është me Badenter.
Për ndërrimin e emrave të dy shkollave të Çairit ndër vite ka pasur përplasje dhe premtime të shumta politike. Prej disa vitesh u ndërruan tabelat e shkollave në fjalë, por jo edhe në aspektin formal-juridik. Përderisa qëndronin tabelat në gjuhën shqipe para hyrjeve të këtyre dy shkollave në Çair, nxënësit shqiptarë vazhdonin t’i merrnin dëftesat me emrat e vjetër./Alsat
Loading…




