Qytetarëve të Shkupit, posaçërisht shqiptarëve u premtoj se Shkupi nuk do të ndahet më në dy pjesë, njëra pjesë e cila është e zhvilluar dhe tjetra pjesë e cila është në një gjendje të mjerueshme. Kështu tha Nafije Selmani, kandidate e Lëvizjes BESA për qytetin e Shkupit, duke shtuar se ajo do të punon për të krijuar një Shkup të përbashkët.
Ajo tha se kandidatura e saj për qytetin e Shkupit u ofron një mundësi shqiptarëve, që të votojnë një kandidatë shqiptarë për qytetin e Shkupit, dhe jo si BDI dhe Ali Ahmeti të cilët detyrojnë shqiptarët të votojnë për një kandidatë maqedonas.
“Pra, vetë kandidatura ime është argument se shqiptarët ekzistojnë, jetojnë dhe kanë jetuar në Shkup, dhe ne, unë si kandidat i Qytetit të Shkupit dhe Lëvizjes BESA, e cila më ka nominuar në atë pozicion, ne nuk heqim dorë lehtë nga Qyteti i Shkupit dhe qëllimi jonë është që të jemi politikisht të përfaqësuar në Qytetin e Shkupit”, deklaroi Nafije Selmani në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA.

