Shkruan: Nafie Selmani
VLEN erdhi në pushtet me premtimin se do të ishte ndryshe. Se do të vendoste standarde të reja politike, do të çlironte institucionet nga kapja dhe mediat nga ndikimi i pushtetit. Por sot, praktika po e rrëzon këtë narrativë më shpejt sesa fjalët e ndërtuan.
Një vështrim serioz mbi përmbajtjen e portalit Fol mjafton për të kuptuar se kemi të bëjmë me një vijë editoriale të qartë, kritikë e vazhdueshme dhe sulmuese ndaj opozitës përballë një trajtimi lavdërues dhe afirmues për politikat e koalicionit qeverisës VLEN.
Situata bëhet edhe më problematike kur si kolumnist në këtë media paraqitet Latif Arifi, Koordinator nacional për komunikim dhe media i emëruar nga Qeveria. Një funksionar i lartë, i paguar për të menaxhuar komunikimin publik të pushtetit, shfaqet njëkohësisht si opinionbërës në një portal që përfiton mjete nga reklamat zgjedhore. Kjo është konflikt interesi.
Media, në këtë rast, nuk vepron si kontrolluese e pushtetit, por si zgjatim i tij. Transmetimi i vazhdueshëm i paraqitjeve qëndrimeve politike të Arifit, i shoqëruar me sulme të drejtpërdrejta ndaj figurave opozitare, sidomos Arben Taravarin, e cila shpesh kalon nga kritika politike në sulm personal, duke varfëruar debatin publik dhe duke e zhvendosur fokusin nga programet, politikat dhe përgjegjësitë qeverisëse.
VLEN, që përpiqej për ta ndërtuar identitetin e vet mbi kritikat ndaj praktikave të vjetra politike, sot po i riciklon ato pa asnjë turp. Media të afërta, zyrtarë të pushtetit të kamufluar si analistë dhe narrativë e njëanshme, të gjitha këto janë modele të njohura, të cilat qytetarët i kanë parë, i kanë kritikuar dhe i kanë refuzuar më parë.
Nëse VLEN pretendon se është ndryshe, duhet të distancohet qartë nga çdo formë e përzierjes së funksionit shtetëror me propagandën mediatike, të garantojë transparencë në financimin e mediave dhe të respektojë pluralizmin politik si vlerë themelore, jo si pengesë.
Sepse propaganda, pavarësisht se si etiketohet, mbetet propagandë. Dhe kur ajo vjen nga ata që premtuan reformë e ndryshim, zhgënjimi është edhe me i madh.


