Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili fajësoi Qeverinë për bllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës.
Murati e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e Ramës, duke thënë se përgjegjësia për mosmiratimin me kohë të buxhetit bie mbi vetë Komunën e Prishtinës.
“Përparim Rama përsëri paska rrejtë kur ka akuzu Qeverinë si bllokuese të buxhetit të Komunës së Prishtinës,” shkroi Murati në një reagim publik.
Ai sqaroi se, sipas afateve ligjore, projekt-buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së largu deri më 30 shtator, në mënyrë që të përfshihet në Ligjin e Buxhetit, i cili pastaj i dërgohet Kuvendit nga Qeveria deri më 31 tetor.
“Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as më 30 shtator, e as më 31 tetor. Asambleja komunale e ka miratuar projekt-buxhetin vetëm më 9 dhjetor, pra shumë pas afateve ligjore,” theksoi Murati.
Ai shtoi se për shkak të kësaj vonese, përfshirja e buxhetit të Prishtinës në Ligjin e Buxhetit kërkon ndërhyrje me ndryshim apo plotësim ligjor – proces që aktualisht është i pamundur për shkak të bllokimit të Kuvendit nga opozita.
“Vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë së re, mund të procedohet me ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për të përfshirë buxhetin e Prishtinës,” shtoi ministri në detyrë.
Murati i bëri thirrje Ramës që në vend të akuzave, t’i kërkojë partisë së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, që të ndihmojë në konstituimin e Kuvendit dhe në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.
“Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit,” përfundoi Murati./Telegrafi/