Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas gjetjes së një arsenali të armëve në veri të vendit.
Sipas Sveçlës, në pronën e Nemanja Radivojeviq i njohur ndryshe si “Gandi”, janë gjetur municion, pajisje ushtarake dhe policore, si dhe veshje kamuflazhi – që, sipas tij, përforcojnë akuzat se ky person ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e sulmit në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Sot, në pronën e Nemanja Radivojeviq – i njohur si ‘Gandi’, janë gjetur municion, pajisje ushtarake, policore dhe veshje kamuflazhi. Ky person është i dyshuari kryesor për shpërthimin e bombës që mori jetën e Heroit të Kombit, Rreshterit policor Afrim Bunjaku,” tha Sveçla.
Ministri theksoi se refuzimi i Serbisë për të ekstraduar të dyshuarit për sulmin është një pengesë serioze për drejtësinë dhe sigurinë në rajon.
“Për aq kohë sa Serbia refuzon t’i dorëzojë këta persona, ata mbeten një rrezik i drejtpërdrejtë për Republikën tonë,” theksoi ai.
Ai shtoi se gjetjet e fundit janë dëshmi të qarta se ky grup kriminal nuk ka reshtur së planifikuari veprime të dhunshme dhe destabilizuese në Kosovë.
“Ky grup kriminal, i dirigjuar nga Serbia, ka bërë përgatitje të gjata dhe nuk ka hequr dorë kurrë nga përpjekjet për të cenuar rendin juridik e kushtetues të Republikës së Kosovës,” u shpreh Sveçla.
Megjithatë, ai siguroi qytetarët se institucionet e sigurisë janë të gatshme për të përballuar çdo kërcënim.
“Shteti ynë, institucionet tona të sigurisë, janë më të shtrira e më të forta se kurrë në këtë pjesë të vendit dhe nuk do të tolerojnë as edhe një grimcë të këtyre elementeve kriminale e terroriste të cenojnë Kosovën,” përfundoi ai. /Telegrafi/