Në kuadër të vizitës së tij të punës në Japoni, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, realizoi takim me Shohej Hara, nënkryetar i Agjencisë japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), përgjegjës për bashkëpunim me Evropën.
Si pjesë e delegacionit qeveritar, në takim morën pjesë edhe Ministri i Kulturës Zoran Lutkov dhe Sekretari i çërgjithshëm i Qeverisë, Igor Janusev.
Në fokus të bisedimeve, siç kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, ishin çështje të rëndësishme dhe kyçe për bashkëpunim të mëtejshëm, në fushën e zhvillimit dhe ndihmës teknike që Qeveria japoneze vazhdimisht ia ofron Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes financimit të projekteve dhe programeve në fusha të ndryshme.
Ministri Mucunski theksoi se Japonia është një nga donatorët më të rëndësishëm dypalësh i vendit tonë, me një ndihmë totale që tejkalon 430 milionë euro.
Ai shprehu mirënjohje të sinqertë për mbështetjen dhe partneritetin e gjatë, duke theksuar se Japonia ka lënë një gjurmë pozitive të qëndrueshme në zhvillimin institucional, ekonomik dhe shoqëror të vendit.