Panorama Online ka siguruar dosjen hetimore për përplasjen me armë zjarri në Rranxë të Bushatit, ngjarje e ndodhur dy vite më parë, konkretisht në 23 korrik 2024.
SPAK mbylli hetimet për Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të cilët akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe planifikuar vrasjen e Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij.
Organi i akuzës ka marrë të pandehur edhe shënjestrën, Aleksandër Prendin, ndaj të cilit rëndon vepra penale “vrasje e mbetur në tentativë”.
Në kohën që ata kanë qenë duke kaluar në këtë zonë, janë qëlluar me armë zjarri nga Aleksandër Prendi.
Ndërkohë në dosjen Prokuroria ka administruar të dhëna nga këqyrja e një telefoni iPhone 13 Pro të përdorur nga shtetasi Arsen Ceni, ku janë zbuluar komunikime në aplikacionet Signal dhe ËhatsApp me një numër të huaj, përmes të cilave dyshohet se përdoren pseudonime mes personave të përfshirë.
Sipas materialeve hetimore, në biseda përdoren nofka të ndryshme për identifikimin e vetes dhe të të tjerëve. Arsen Ceni identifikohet me pseudonimin “Strategu”, ndërsa persona të tjerë përmenden si “Q8”, “Nusja”, “Noizy” dhe “Kapedani”, të lidhura me kontakte dhe komunikime mes tyre.
Nga komunikimet e përftuara, rezulton se Arsen Ceni është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për deklarime lidhur me një ngjarje të ndodhur më 23.08.2024 në Rranxë.
Po ashtu, në komunikime përmenden diskutime mbi kontrolle kamerash sigurie në zonë, lëvizje të mjeteve të blinduara dhe veprime të mundshme të personave të tjerë të përfshirë. Në një pjesë të bisedave, flitet edhe për fshehjen e disa objekteve, ku më pas policia gjyqësore ka ushtruar kontroll dhe ka sekuestruar gëzhoja fishekësh, të cilat sipas ekspertizës balistike nuk përputhen me ato të gjetura në vendngjarje.
Pjesë nga dosja
Nga këqyrja e të dhënave në lidhje me aparatin e telefonit iPhone 13 Pro në përdorim nga shtetasi Arsen Ceni, u përftua se ky shtetas ka kryer disa biseda në aplikacione të ndryshme si Signal dhe Whatsapp ku ka përdorur numrin e telefonit +3935004…. .
Nga bisedat e këqyrura vihet re se biseduesit thirren me pseudonime me njëri tjetrin si dhe përdorin pseudonime kur i referohen personave të tjerë, dhe më konkretisht, Arsen Ceni e quan veten “Strategu” ashtu si është i regjistruar edhe në aplikacionin Whatsapp ku përdor numrin +3935004…., Andrea Prendi, përdorues i numrit telefonik +35569511…. është i regjistruar në telefonin e Arsenit me pseudonimin “Q8” (si modeli i autoveturës Audi Q8 të cilën e ka në përdorim Andrea dhe e ka të regjistruar në emër të shtetasit Arsen Ceni), Aleksandër Prendi thirret nga bashkëbiseduesit “Nusja”, Gëzim Prendi (i ati i Aleksandrit, Andreas dhe Pjetrit) thirret “Noizy” ndërsa Pjetër Prendi (alias Pjetër Dragoti) thirret “Kapedani”.
Më konkretisht, shtetasi Arsen Ceni është shoqëruar në DVP Shkodër për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen e datës 23.08.2024 në Rranxë.
Pyetur nga personi me pseudonimin “Cavalli” (i cili dyshohet të jetë Andrea Prendi) me numër +3460767…., se cfarë kishte deklaruar Arseni në polici në lidhje me autoveturën Audi Q8 që është sekuestruar, Arseni thotë që ka deklaruar se e ka blerë me kursimet e emigracionit pasi ka jetuar prej kohësh në Itali bashkë me familjen.
Ndër të tjera Arseni i thotë bashkëbiseduesit se ka merak të hiqet sekuestro nga automjeti dhe t’a parkojë në shtëpinë e tij dhe të largohet. Madje i thotë bashkëbiseduesit se mund të montojë edhe një telekamer që ai mund ta kontrollojë në distancë por bashkëbiseduesi i thotë se nuk është e rëndësishme sepse ai do kthehet së shpejti në shtëpi.
Gjatë komunikimeve me përdoruesin “Cavalli”, Arseni i tregon se gjatë deklarimeve është goditur në kokë nga një punonjës policie pasi nuk i jepte kodin e aksesit në telefonin e sekuestruar.
Ndërsa “Cavalli” e qetëson dhe i thotë se mos të shqetësohet pasi nuk do i ndodhi asgjë sepse asnjë person nuk do hapi kamerat e zonës për të parë lëvizjet e tij gjatë ditës së mëparshme 23.08.2024 kur ka ndodhur ngjarja.
Gjithashtu “Cavalli” e pyet Arsenin nëse në BMW janë gjetur gëzhoja nga forcat e policisë që kanë ndërhyrë në vendngjarje por Arseni nuk është në dijeni të këtij detaji. “Cavalli”, i thotë Arsenit se ka parë kamerat e shtëpisë gjatë natës dhe ka vërejtur forcat e policisë që kanë shkuar për të ushtruar kontroll dhe Arseni i përgjigjet se e ka marrë vesh sepse ia kishte thënë edhe “Kapedani” që duhet të jetë Pjetër Prendi (alias Dragoti).
Ndër të tjera Arseni thotë se do qëndrojë te shtëpia e vëllezërve sëbashku me “Noizyn” për të bërë roje se mos vjen dikush dhe ka në dispozicion një cifte me disa fishekë dhe “Cavalli” shprehet se “po tbani roje fratelo….kot ajo pune…po he…se thojn na kan gjujt diten lene ma naten”.
Të nesërmen me datë 25.08.2024 “Cavalli” është i shqetësuar për disa kamera të zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe dërgon Arsenin të shohi drejtimin e kamerave. Arseni pasi afrohet tek zona me kamera e qetëson pasi sipas tij kamerat nuk kanë këndvështrimin andej nga mund të identifikohet kalimi i mjetit BMW dhe në atë moment “Cavalli” shprehet se “ishalla skapin” “se pshton dhe aleksi” “se mu mhajn k…” “Se vec njajo kamer asht tan problemi”.
Për sa i përket ditës së ngjarjes Arseni i thotë Cavallit se personat me automjete të blinduar që kanë shkuar në Rranxë, mund të kenë qenë në zonë që një natë më parë për të marrë informacion se ku banonin vëllezërit Prendi dhe më konrektisht i shprehet se “Se ndejta me jonin pak par me tha se kishte nigju se ishin sjell qysh nade ato” “Edhe i kishte than fatjoni se kishte ken nje pajton knej sterr i zi” “Edhe at dit kishin pyt ner cunaj per ty e kapedanin“, ndërsa “Cavalli” i përgjigjet “E kan gjet mir shpin” ndërsa Arseni kundërpërgjigjet se “jan da mir me aq”.
Gjithashtu “Cavalli” është i shqetësuar për dicka që Arseni duhet të fshihte pas ngjarjes së dates 23.08.2024 dhe e pyet Arsenin “a jan lerg ato qe ke mshef” “apo sdin gja”, ndërsa Arseni i përgjigjet “1 aty ku i kam meshe ather”, “Tj pa shku te toka agimit ne krah te majt ne ferra“. Pasi është këqyrur ky sms nga ana e organit të akuzës është urdhëruar policia gjyqësore të identifikoje se cfarë mund të jetë fshehur në këtë vend të përcaktuar nga Arseni dhe janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja fishekësh të cilat janë dërguar për të kryer ekspertimin në Policinë Shkencore dhe akti i ekspertimit balistik të gëzhojave nr 1332 datë 12.02.2026 nuk rezulton që gëzhojat të përputhen me ato të konstatuar në vendin e ngjarjes.
Në datë 26.08.2024 Arseni bashkë me shtetasin Klaudio Malocaj, është duke transportuar shtetasin Gëzim Prendi për në aeroportin e Rinasit pasi duhet të niset për në Itali për t’a larguar nga Shkodra. “Cavalli” i kërkon Arsenit të kthehet me taksi nga aeroporti nëse Maloca ka ndonjë impenjim tjetër dhe nuk mund ta presi. Ndër të tjera, Arseni ka marrë në përdorim një autoveturë Mercedes A Class në emër të Ilda Prendi (motra e vëllezërve Prendi) dhe po i vesh xhamat me ngjitëse të zezë për të mos u diktuar kur qarkullon në rrugë.


