Gjithsej 61 shoferë janë kapur duke drejtuar automjete nën ndikimin e alkoolit gjatë një aksioni të kontrollit të zhvilluar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në natën mes 17 dhe 18 tetorit, në territorin e gjithë shtetit.
Sipas njoftimit të MPB-së, gjatë kontrollit, i cili u zhvillua nga ora 21:00 deri në orën 03:00, janë testuar për alkool gjithsej 772 shoferë.
Nga numri i përgjithshëm i shoferëve te të cilët është konstatuar prania e alkoolit, 14 kanë drejtuar automjete me përqendrim mbi 1,50 promilë, duke plotësuar elementet e veprës penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“, në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal.
Gjatë aksionit, 58 shoferëve u janë marrë lejet e drejtimit, ndërsa janë sekuestruar edhe dy automjete motorike. Përveç këtyre rasteve, policia ka evidentuar edhe 125 kundërvajtje të tjera në trafik.
MPB-ja njofton se ndaj të gjithë shkelësve janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore.
Nga ministria u bëjnë apel shoferëve që të mos drejtojnë automjete nën ndikimin e alkoolit, duke theksuar se një sjellje e tillë rrezikon seriozisht sigurinë në trafik dhe jetën e pjesëmarrësve në komunikacion.



