Njëzet e gjashtë persona të arrestuar dhe ndalesa për punë për 19 objekte. Ky është epilogu i aksionit të mbrëmshëm policor në Tetovë, Manastir dhe Veles. Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Llaze Vellkovski, bëri të ditur se për shkak të informacioneve operative të siguruara se në një numër të madh të objekteve nuk respektohet rregullorja ligjore në drejtim të funksionimit të objekteve publike, për qëndrim të paligjshëm në RM dhe për përdorim të lëndëve narkotike, Ministria e Punëve të Brendshmë së bashku me Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut mbrëmë kanë realizuar një aksion kontrolli.
Gjatë aksionit të mbrëmshëm janë arrestuar 26 persona, 16 prej të cilëve janë shtetas të Maqedonisë, për shkak të posedimit të drogës narkotike dhe mospasjes së dokumenteve për identifkim personal dhe dhjetë shtetas të huaj, nëntë nga Serbia dhe një nga Mali i Zi për shkak të keqpërdorimit të qëndrimit turistik dhe jo të rregullt në Maqedoni.
LLAZE VELLKOVSKI, DREJTOR I BYROSË PËR SIGURI PUBLIKE
“Kontrollat filluan në ora 22 në Prilep dhe vazhduan deri herët në mëngjes në Veles, Tetovë dhe Gostivar. Në rajonin e SPB Tetovë respektivisht qytetet Tetovë dhe Gostivar, janë kontrolluar 31 objekte. Gjatë kontrolleve të kryera, për 19 objekte, nga ana e Drejtorisë së të ardhurave publike dhe Inspektoratit Shtetëror të Tregut, janë caktuar masa për ndalim për kryerjen e veprimtarisë në afat prej 15, respektivisht 30 ditë për mosrespektimin e dispozitave ligjore, në pajtueshmëri me Ligjin për pagesën e regjistruar me para në dorë”. Gjithashtu Vellkovski njoftoi se mbrëmë është bërë kontroll edhe për drejtuesit e makinave, për të parë nëse ka prej atyre që janë në gjendje të alkoolizuar.
LLAZE VELLKOVSKI, DREJTOR I BYROSË PËR SIGURI PUBLIKE
“Nga ana e SPB Veles, në qytetet Veles, Kavadar dhe Negotinë, u zbatua dhe forcua aksion kontrollues në lidhje me drejtimin e automjeteve nga qytetarë nën ndikimin e alkoolit, gjatë së cilës janë testuar 232 shoferë, prej të cilëve, tek 29 shoferë është konstatuar prani e alkoolit. Ministria e punëve të brendshme në bashkëpunim me institucionet tjera do të vazhdojë me kontrolle të këtilla edhe në periudhën e ardhshme”.
Ndalesat për kryerjen e veprimtarisë janë në kohëzgjatje prej 15, respektivisht 30 ditë, për mospasje të aparatit fiskal dhe mosdhënien e llogarisë fiskale, por edhe për shkak të kryerjes së veprimtarisë hotelierike pa regjistrim. Në pyetjen se pse gjatë kontrollit ka pasur prani të madhe të forcave speciale, Vellkovski tha se për shkaqe sigurie është dashur që gjatë kontrollit të jenë të shoqëruar nga forca të mëdha policore.

