20 November
Policia shqyrton rezultatin e operacionit të dy netëve më parë, në Tetovë, Gostivar, Prilep e qytete të tjera, ndaj bareve dhe lokaleve të natës. Kontrollet paraprake ndaj 31 objekteve të tilla rezultuan me ndalim të veprimtarisë për 19 prej tyre, për shkak të gjetjes së parregullsive të ndryshme, filluar që nga mungesa e licencave për punë, mosdhënies së llogarive fiskale, pranisë së këngëtareve- shtetase të huaj pa lejeqëndrim të rregull, lëndëve narkotike etj. ALSAT mëson se kontrolle ka pasur edhe në bare të mbajtura nga zyrtarë aktualë dhe ish zyrtarë, ndërkohë që disa prej tyre kanë qenë të mbyllura gjatë operacionit, dhe policia nuk ka mund të verifikojë drejt veprimtarinë e këtyre lokaleve. Ky shqetësim është ngritur gjithashtu në MPB e cila siç mëson ALSAT, do të mbajë nën vëzhgim veprimtarinë e tyre, në periudhën në vijim. Nga MPB thonë se po shqyrtojnë rezultatet e operacionit, në krahasim me të dhënat operative, profilin produktit kriminalistik, vendimet taktike, metodologjinë dhe format e aksionit. Megjithatë, nga kjo ministri thonë se aksionet nuk do të kursejnë askënd.

