Dy policët e burgut janë ndërruar, kurse komandanti përfundoi në paraburgim pas arratisjes së të burgosurit, Bekim Memeti. Katër policë të burgut do të përgjigjen penalisht për lirim të paligjshëm të një të burgosuri, kumtoi Prokuroria Publike. Memeti ka arritur të arratiset gjatë transportit nga burgu i “Idrizovës” në Qendrën Klinike, ku fillimisht ia ka marrë pistoletën shoferit, e ka qëlluar dhe më pas është larguar me makinë të tipit “Audi” në drejtim të panjohur. Memeti është dënuar për vrasje në Reçicë të Vogël në vitin 2016. Ai fillimisht është dënuar në mungesë, ndërsa në vitin 2020 është arrestuar në Berlin, Ndryshe, sipas MPB-së, arratisja ka qenë e planifikuar dhe e realizuar në bashkëpunim me policët e burgut.
“Është planifikuar dhe është bërë në marrëveshje me policët e burgut dhe persona nga jashtë. Ai i ka shkaktuar vetes plagë, gjegjësisht prerje në dorën e majtë. Më pas është dërguar në Ambulancën e shtëpisë, prej ku është rekomanduar që B.M. të dërgohet në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”, gjegjësisht në Qendrën Urgjente me qëllim që të trajtohet plaga e shkaktuar. Për këtë rast në dijeni ishte edhe komandanti kujdestar i turnit, i denoncuari i parë S.D., i cili ka urdhëruar të përgatitet urdhër që policët e burgut T.A., I.A., T.P. dhe I.H ta transferojnë të dënuarin nga “Idrizova” në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”. Vepra penale është kryer në mënyrë që të dyshuarit me vetëdije dhe me qëllim t’i mundësojnë të dënuarit të arratiset, duke e akomoduar në pjesën e mesme të veturës zyrtare, e jo sipas procedurave standarde operative për shoqërim të personave të dënuar – në pjesën e posaçme të veturës që është destinuar për këtë qëllim”, deklaroi Toni Angellovski, MPB.