
Ish-gjyqtari i Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Kadri Kryeziu, ka reaguar lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e sotme, duke shprehur shqetësim për nivelin e ulët të daljes në votime në komunat me shumicë shqiptare.
Përmes një reagimi publik, Kryeziu ka krahasuar të dhënat e pjesëmarrjes deri në orën 11:00, duke theksuar se në komunat shqiptare dalja në votime ishte rreth 8-9 për qind, ndërsa në komunat me shumicë serbe arrinte në 17-18 për qind.
Sipas tij, ky dallim nuk është i rastësishëm, por rezultat i një mobilizimi të organizuar.
“Kjo nuk është rastësi. Kjo është organizim”, ka shkruar ai.
Kryeziu pretendon se strukturat politike dhe institucionale të Serbisë janë angazhuar fuqishëm për të siguruar përfaqësimin e Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës, ndërsa paralajmëron se abstenimi i qytetarëve shqiptarë mund të ketë pasoja politike.
Ai theksoi se mospjesëmarrja në zgjedhje nuk duhet parë si formë proteste, pasi sipas tij çdo votë e pashfrytëzuar krijon hapësirë që vendimmarrja të ndikohet nga të tjerët.
“Abstenimi nuk është protestë. Është një ulëse e lënë bosh, që dikush tjetër do ta mbushë për ty”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Kryeziu përmendi edhe Nenad Rashiq, duke e paraqitur si një alternativë politike brenda komunitetit serb që, sipas tij, nuk vepron nën ndikimin e Beogradit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të mos qëndrojnë pasivë në një proces që e cilësoi të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
Sipas Kryeziut, mbrojtja e interesave të Kosovës nuk realizohet vetëm përmes institucioneve, por edhe përmes pjesëmarrjes aktive të qytetarëve në proceset demokratike.


