Alsat 2019-09-05T14:51:04+02:00
“Bombat” e paralajmëruara për Monstrën, nuk u dëgjuan në seancën e sotme gjyqësore. Kjo për shkak të zhvillimeve në Prokurorinë Speciale Publike. Për dy prokurorët e Speciales që kanë përsipër këtë lëndë, Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski, kjo mund të jetë seanca e fundit për Monstrën, pasi të gjitha lëndët e PSP-së, kalojnë nënën ombrellën e Prokurorisë Publike Themelore.
“Ka disa polemika që nëse në përgjithësi kanë të drejtë prokurorët special duke e ditur se mandati i tyre është deri më 15 shtator të këtij viti. Eventualisht, ka mundësi që të zgjidhet ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit special. Në këtë rast meqë nuk dihet ende rezultati, vlerësoj se ishte e drejtë mos të fillohet me dëgjimin e bisedave të përgjuara, të cilat janë në një volum të madh prej 38 mijë bisedash”, tha Naser Raufi, avokat.
Avokati Asmir Alispahiq kërkoi që nga “bombat” që duhet të prezantohen në seancë, të largohen shprehjet vulgare.
“Të gjitha bisedat telefonike të përgjuara ilegalisht, të cilat Prokuroria Speciale ia ka dorëzuar Gjykatës Themelore, insistojmë t’i dëgjojmë me qëllim që të nxjerrim faktet për të gjithë. Kjo do të na ndihmonte që të zbulojmë bashkërisht të vërtetën për këtë ngjarje që ka ndodhur para 7 viteve”, u shpreh Asmir Alispahiq, avokat.
Përfaqësuesit ligjorë të të akuzuarve në “Monstra” thanë se nuk ndryshon asgjë në proces nëse kjo lëndë i kthehet prokurorisë së rregullt. Familjarët e viktimave u ankuan për zvarritjen e procesit. Trupi Gjykues me qëndrim se lënda do të vazhdojë aty ku ka mbetur. Seanca e ardhshme mbahet më 18 shtator.
Adnan Qaili
Loading…


