Alsat 2019-09-03T19:46:57+02:00
Në Shkollën Fillore periferike në fshatin Mojancë të Komunës së Haraçinës, e cila ka rreth 50 nxënës, mësimi realizohet në paralele të kombinuara, pra klasa e dytë me të katërtën dhe e treta me të pestën. Kjo për shkak se në shkollë ka vetëm tre paralele dhe tre mësues, ndërkohë që mësimin e ndjekin nxënës nga klasa e parë e deri në të pestën. Nëse nuk hapen edhe dy paralele dhe nuk punësohet kuadër plotësues, prindërit nuk do të lëshojnë fëmijët në shkollë.
E shihni vet se asgjë nuk ka. As e rrethuar nuk është, as klasat nuk funksionojnë siç duhet. Kallaballëk nxënës në dy klasa. E rrethuar s’ është, bagla ka. Kafshë nëpër oborr, krejt të këqijat janë këtu, ujë s’ka- thotë Rahit Sherifi- prind.
Nesmir Sulejmani, mësues në këtë shkollë, thotë se është e vështirë të realizohen dy plane të ndryshme mësimore në të njëjtën orë. Ai thotë se edhe pse përpiqen maksimalisht që të luajnë sa më mirë rolin e tyre, përsëri rezultatet nuk janë të kënaqshme.
20 Nxënës me paralele të kombinuara është numër tejet I madh. Është ngarkesë edhe për nxënësit, ngarkesë shumë e madhe edhe për ne arsimtarët. Është shumë e vështirë, sidomos kur vjen klasa e dytë, ato ende janë në përvetësimin e shkronjave, kurse kur të has me klasën e katërt, në një klasë, është huti dhe është shumë e vështirë për fëmijët. Kemi këtu tre paralele, prindërit kërkojnë që të kemi pesë paralele dhe dy arsimtarë të punësohen- tha Nesmir Sulejmani – arsimtar.
Shkolla Fillore e Mojancës është në kuadër të shkollës “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Drejtori i kësaj shkollë, Azam Hakii, thotë se ka dorëzuar disa kërkesa deri në Komunën e Haraçinës, por se ende nuk ka përgjigje.
Një kërkesë është bërë në prill të vitit 2018 dhe ë tjetra me radhë është bërë në gusht, me 1 gusht. Mirëpo ende nuk kemi përgjigje. Ne i dimë problemet. Me të vërtet është problem I madh me këtë, sepse klasa e dytë me të pestën të kombinuara nuk mund të realizohet mësimi siç duhet- deklaroi Azam Hakii -drejtor i sh.f “ Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Nga komuna pohojnë se i kanë pranuar kërkesat dhe të njëjtat i kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit. Komuna u jep të drejtë prindërve dhe madje thonë se kjo çështje është diskutuar edhe sot në mbledhjen e Këshillit.
Komuna ato kërkesa me pëlqimin e vet I dërgon në Ministrinë e Arsimit. Komuna ka kërkuar leje prej ministrisë leje për pranimin e atyre arsimtarëve. Ne i kemi dërguar kërkesat, mirëpo ende nuk kemi përgjigje- tha Elmaz Hyseni – sekretari i Komunës së Haraçinës.
Nga Ministria e Arsimit, kërkuan kohë që të informohen detajisht me rastin dhe të shqyrtojnë nëse ka dispozita ligjore që lejojnë zgjidhjen e këtij problem.
Evi Shkopi
Loading…



