30 August 2018 / 13:12
Vendet e Ballkanit Perëndimor për BE-në shndërrohen në partnerë për çështjen e sigurisë, derisa më herët ato ishin shikuar si vatër e jostabilitetit, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe siguri Federika Mogerini gjatë arritjes në seancën e dytë të punës në mbledhjen joformale dyditëshe të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Vjenë. Mogerini gjithashtu, tha se “së bashku me NATO-n shqyrtohet se si të thellohet bashkëpunimi për çështjet e sigurisë në rajon”.
Austria e cila për momentin kryeson me Këshillin e BE-së, i ftoi ministrat e Mbrojtjes të vendeve nga Ballkani Perëndimor më 26 shtator në Grac, të bisedojnë për situatën e sigurisë në rajon, kumtoi ministri austriak i Mbrojtjes Mario Kunasek. Sipas tij, në seancën e djeshme të ministrave evropian të Mbrojtjes janë shqyrtuar masa konkrete për përforcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në Vjenë sot dhe nesër mbahet edhe mbledhja joformale e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së, në të cilën të ftuar janë edhe diplomatët e parë të vendeve kandidate – Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Turqia dhe Shqipëria.
“Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk bëhen anëtare”, tha dje Mogerini.
Ajo ka theksuar se në interes të Unionit është ta lë derën e hapur dhe ka shtuar se kryesimi austriak me Këshillin e BE-së e përkrahë politikën e Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor.


