Punonjësit e Filarmonisë së Maqedonisë, përmes Sindikatës së institucionit, akuzuan se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka tentuar ta arsyetojë, siç thonë ata, veprimin e kundërligjshëm gjatë zgjedhjes së drejtorit të Filarmonisë, transmeton Portalb.mk.
Sindikata e kontestoi njoftimin e Ministrisë në të cilin, duke iu referuar Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), institucioni thekson se Komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjen e drejtorit, pjesëmarrësve në konkurs u ka dorëzuar kërkesë për sqarim plotësues të dokumentacionit të paraqitur, gjë që, siç thonë nga Ministria e Kulturës, ka qenë praktikë edhe në procedurat e kaluara për zgjedhjen e drejtorit të Filarmonisë.
Sindikalistët e Filarmonisë, nga ana tjetër, theksojnë se Ministria nuk e ka specifikuar nenin konkret të Ligjit sipas të cilit po veprohet, por edhe për cilat procedura të kaluara vlen kjo praktikë.
“Sipas nenit 39 paragrafi 3 i LPPA-së, nëse parashtresa është e paplotë ose e paqartë, autoriteti publik do të kontaktojë parashtruesin dhe do të caktojë afat prej 15 ditësh për sqarime shtesë. Nëse aplikanti i eliminon të metat brenda afatit të caktuar, do të konsiderohet se parashtresa ka qenë mjaftueshëm e qartë që në fillim. Nëse parashtruesi nuk përgjigjet brenda afatit të caktuar, kërkesa do të refuzohet me akt administrativ brenda shtatë ditëve shtesë, kundër të cilit lejohet ankimi. Vetë neni nuk thotë askund se lejohet të dorëzohet dokument shtesë, pra dokument i cili është deklaruar si i detyrueshëm në konkurs, por nuk është dorëzuar brenda afatit të caktuar. Gjegjësisht, në konkursin e publikuar për zgjedhjen e drejtorit, thuhet se dokumentet e dorëzuara jo të plota dhe të parakohshme nuk do të merren parasysh”, thonë nga Sindikata në Filarmoninë e Maqedonisë.
Si pasojë e kësaj, siç theksojnë ata, Ministria e Kulturës nuk bën dallim mes “plotësimit të dokumentacionit jo të plotë” dhe “sqarimit të aplikimit”.
“Nëse Ministria vlerëson se një veprim i tillë është në përputhje me dispozitat e LPPA-së, fjalia “Dokumentet e pakompletuara dhe të paraqitura në kohë nuk do të merren parasysh”, e sjell vetë konkursin dhe dispozitat e LPPA-së në përplasje dhe në situatë kontradiktore”, thonë sindikalistët e Filarmonisë dhe shtojnë se kjo edhe një herë vë në pikëpyetje ligjshmërinë e procedurës dhe ligjshmërinë e konkursit.
Reagimi i Sindikatës së Filarmonisë së Maqedonisë vjen pas njoftimit të dy ditëve të fundit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ku thuhet se zgjedhja e drejtorit të këtij institucioni do të bëhet në përputhje me rregulloret ligjore, duke hedhur poshtë akuzat e sindikalistëve për participim të mundshëm në procedurë.