Mbi 15 mijë kultivues të duhanit, presin të marrin rreth 40 milionë euro subvencione nga ministria e Bujqësisë për duhanin e shitur të vitit 2024.
“Informatat e fundit që i kam nga Agjencia e Pagesave është që, listat janë në fazën përfundimtare dhe do të dërgohen në Ministrinë e Financave për pagesën e këtyre subvencioneve, patjetër të ceki se në një ditë Qeveria duhet të paguajë mbi 40 milionë euro subvencione për prodhuesit e duhanit e cila është një shumë serioze dhe ne si shtet kemi qasje serioze në këtë segment dhe pres që shumë shpejtë nga dita e sotme që në llogaritë e tyre të kenë subvencionet që i meritojnë këto bujq” , deklaroi Cvetan Tripunovski – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave.
Vitet e fundit në vendin tonë edhe pse është ulur ndjeshëm numri i bujqve që merren me prodhimin e duhanit, sipas ministrit Tripunovski, viti 2024 ka qenë i frytshëm dhe kemi pasur rritje të sasisë së prodhuar.
“Këtë vit veç më kthehet prodhimtaria e duhanit në atë që dikur kishte Maqedonia. Këtë vit kemi rreth 24 milionë kilogram që është rritje serioze në krahasim me një vit më herët ku kishim rreth 15 milionë kilogram dhe do ta cek përsëri sepse i kushtojmë rëndësi kësaj kulture”, tha Cvetan Tripunovski – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave.
Në vitin 2010 numri i bujqve që merren me kultivimin e duhanit ka qenë mbi 42 mijë, ndërsa në vitin 2025, ky numër është ulur ndjeshëm dhe tani kemi rreth 15 mijë persona që merren me këtë kulturë bujqësore. /Alsat.mk