Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fjator ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend më 21 mars 2018. Saktësisht, Sveçla u shpall fajtor për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Vendimi është marrë të mërkurën nga gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj.
Ndërsa, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, Gjykata mori aktgjykim refuzues.
Për veprën penale për të cilën u shpall fajtor ministri në detyrë, gjykatësi Sadikaj tha se vendimi mbi dënimin do të shpallet pas mbajtjes së seancës ku palët do të paraqesin rrethanat lehtësuese dhe rënduese, seancë e cila do të bëhet më 8 shtator 2026.
I akuzuari Sveçla mungoi në seancë, ndërkaq i pranishëm ishte avokati i tij, Laur Prenaj.
Në seancën e 28 gushtit 2026, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, ngarkohej se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS. Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.
Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.
Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012. Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre. Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.
Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku. Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij.
Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.



