Një shpërthim ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm në stacionin qendror të Augsburgut, në Bavari të Gjermanisë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, një objekt ende i paidentifikuar ka shpërthyer në një korridor të brendshëm të stacionit. Nga vala e shpërthimit, dy persona kanë pësuar lëndime të lehta, të shkaktuara nga tronditja akustike.
Shpërthimi ka dëmtuar gjithashtu disa dritare dhe dyer të stacionit.
Në vendngjarje është zhvilluar një operacion i gjerë policor, ndërsa autoritetet kanë pezulluar përkohësisht një pjesë të qarkullimit hekurudhor. Platforma e parë dhe zona e përfshirë nga shpërthimi janë izoluar.
Shkaqet e shpërthimit dhe natyra e objektit që ka shpërthyer ende nuk janë bërë të ditura.



