Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi bashkë me Ambasadorin e Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Samuel Zhbogar, sot ka marrë pjesë në debatin më të madh online me temë “Edukimi digjital-shakthtësitë e domosdoshme për mësim përmes Internetit”, të organizuar nga Nisma e Shkollave të Mesme “Bëhu aktiv mediatik” dhe Delegacioni i BE-së për shënimin e javës evropane të shkrim-leximit mediatik.
Gjatë debatit është diskutuar lidhur me nevojën e aftësive digjitale.
Ministri Ademi ka përshëndetur të pranishmit në debat, duke ju dëshiruar shëndet të mirë në këtë kohë dhe rrethana të vështira nga virusi COVID19.
“Tema e këtij debati përmes internetit dhe këtij projekti në përgjithësi është gjithnjë aktuale dhe interesante për tu debatuar. Të gjithë kemi diçka për të thënë, për sa i përket asaj që është bërë dhe asaj që mungon dhe duhet të bëhet për të ngritur nivelin e shkrim-leximit digjital dhe mediatik të popullatës, dhe veçanërisht të rinjve që janë përfituesit më të mëdhenj të përparimeve teknologjike moderne dhe të marrjes së informacioneve të cilat i krijojnë dhe i plasojnë llojet e reja të mediave, siç është Interneti”. – ka deklaruar Ademi.
Gjithashtu, ministri Arbër Ademi ka vlerësuar edhe mësimin nga distanca që po zhvillohet në vendin tonë, që nga fillimi i krizës me virusin COVID19, që ka pamundësuar zhvillimin procesit mësimor nëpër shkolla.
“Për gati dy muaj, tek ne po zhvillohet mësimi nga distanca, gjegjësisht mësimi nga shtëpia. Situata aktuale e ka imponuar këtë dhe praktikisht ne, si dhe shumë vende të tjera të botës, kemi zgjedhur këtë zgjidhje e cila nuk ka asnjë alternative tjetër dhe deri më tani dëshmon se është e suksesshme.
Për këtë qëllim, ne kemi zhvilluar një platform të veçantë “eduino”, gjithashtu po transmetojmë edhe programin edukativë në televizionin shtetërorë i cili quhet “TV – KLASA”.
Pothuajse të gjithë të rinjtë janë të përfshirë në mësimin përmes internetit, edhe ata që nuk janë kyçur për arsye të ndryshme – mungesa e internetit, mos pajisja me një pajisje informatike etj, po me shpejtësi po i inkuadrojmë, duke i zgjidhur problemet” ka theksuar Arbër Ademi.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, ka treguar se kjo përvojë e mësimit nga distanca përmes internetit, përmes platformës nacionale, jep garancë që mësimi nga distanca mund të zbatohet edhe në të ardhmen, sa herë që lind nevoja.
“Mbetet për ne që të përpiqemi t’i ruajmë këto vlera, të vazhdojmë të ecim në këtë drejtim të mirë. Dhe premtoj se do të jetë ashtu, të paktën për sa kohë që unë jam pjesë e atyre që krijojnë politika arsimore”. – ka përfunduar Ademi.



