Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari ka reaguar pas vrasjes së Armenda Veliajt nga burri i saj që ndodhi mbrëmë në Prizren.
Kusari ka shkruar se vrasjet e grave në familje kanë shënuar rritje për 50% nga viti 2017.
“Vrasjet e grave në familje prej vitit 2017 në 2018 në Kosovë, shënuan rritje për 50%.Nga 4 gra të vrara në familje në 2017, 6 gra u vranë në vitin 2018. Me kob ka filluar edhe viti 2019, kur menjëherë pas mesnate me 1 Janar u vra viktima e parë nga burri i saj në Gjilan. Familja, streha më e sigurt për secilin njeri, po gllabëron jetë grashë në Kosovë”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka thënë se vrasja që ndodhi mbrëmë nuk është problem i momentit por është problem i thellë i shoqërisë.
“Vrasja e fundit mbrëmë në Prizren e Armenda Velijajt nga bashkëshorti i saj me të cilin jetonte në Zvicër, tregon se problemi është më i thellë në shoqërinë tonë se sa vetëm reagimi i momentit.
Jeta e Armendës u shua parakohe nga 15 plumba, fakt që e tregon se dhuna dhe nxitja e saj ndaj grave ka rrënjë më të thella në shoqërinë tone”, ka thënë deputetja.
Kusari ka thënë se duhet një trajtim më i veçantë i këtij fenomeni.
“Trajtimi i këtij fenomeni të rëndë, përveç se me masa dhe sanksione të shtuara ligjore, duhet të ketë çasje më holistike. Prej edukimit në shkolla, familje, komunitet dhe kampanja të vazhdueshme për ndalim të dhunës në baza gjinore. Çasja në armë dhe inkurajimi në posedimin e tyre gjithashtu shton mundësitë e ngjarjeve tragjike.Ngushëllime familjes dhe miqëve të viktimës, qoftë e fundit e vrarë mizorisht. Ne si shoqëri, të punojmë të gjithë për të ndalë këtë dukuri të rëndë në rritje në shoqërinë tone”, është shprehur Kusari. /GazetaExpress/



