Nuk përjashtohet mundësia për ngritje të iniciativës për interpelancë të Qeverisë. Këtë në një intervistë për “Sitel” e paralajmëroi, Antonio Milloshoski i cili tha se ka edhe deputetë të pushtetit që do të votojnë për mosbesim ndaj qeverisë aktuale. Kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, këto ditë me këmbëngulje pohon se brenda disa muajsh do të shihet se deputetët e grupeve parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së do të mbështesin shpërndarjen e Kuvendit dhe ndryshimin e Qeverisë.
“Është në lojë opsioni i iniciativës së mosbesimit ndaj Qeverisë, si mjet demokratik ku mund të kanalizohet kjo pakënaqësi e qytetarëve dhe e një numri më të madh deputetësh. Por, nga ana tjetër, ajo që na befasoi është që në vetë strukturat e LSDM-së brenda Kuvendit, u paraqitën deputetë, individë dhe grupe më të vogla të cilët nuk e përjashtojnë këtë opsion”, deklaroi Antonio Milloshoski.
Por, e gjithë kjo hidhet poshtë nga partia në pushtet.
“Praktika e gënjeshtrave, manipulimeve, defokusim të opinionit publik me gjëra krejtësisht jonormale, mund të them lirisht në lidhje me ngjarjet ditore politike po vazhdon. Milloshoski është një njeri i dëshmuar i cili merret me lajme të rreme dhe manipulime të tilla. Unë e siguroj opinionin maqedonas se nuk ka kurrfarë mundësie për një gjë të tillë që dikush nga mazhoranca qeverisëse të votojë për interpelancë të Qeverisë dhe mbështetje të opozitës”, tha Martin Kostovski, LSDM.