Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se të hënën do të publikohet analiza për çmimet e reja të derivateve të naftës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në Spitalin Klinik të Manastirit, Mickoski tha se bëhet fjalë për një procedurë të rregullt të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), i cili kryen analizën dhe përcakton çmimet e karburanteve.
“Të hënën do të bëhet analiza e çmimit të karburanteve”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri foli edhe për të dhënat e ardhshme për inflacionin gjatë muajit korrik, duke thënë se ato pritet të publikohen së shpejti. Ai shtoi se, bazuar në informacionet që merr nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, pret zhvillime të tjera lidhur me gjendjen në treg.
“Bazuar në të dhënat që i marr nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, pres prioritete krejtësisht të ndryshme”, tha Mickoski.
I pyetur për pretendimet lidhur me mundësinë e heqjes së shtyllës së dytë pensionale, kryeministri i ka mohuar këto informacione, duke theksuar se një vendim i tillë nuk është njoftuar nga Qeveria.
“Unë mund të flas në emër të Qeverisë. Një njoftim i tillë nga ana e Qeverisë nuk ka”, deklaroi Mickoski.



