Kryeministri Hristijan Mickoski ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së Papa Françeskut, ku thuhet se ai si udhëheqës shpirtëror pas vete le një gjurmë të madhe humane, të ndershme dhe të përkushtuar në historinë e botës bashkëkohore.
“Mesazhi i tij për paqe, solidaritet, kujdes për më të cënuarit dhe dialog mes popujve ishte dritë për miliona njerëz, pa dallim besimi apo kombi. Ai ishte zëri i ndërgjegjes në një kohë sfidash globale dhe një shembull i pamatshëm i njerëzimit dhe guximit moral. Papa Françesku ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij për Maqedoninë ndër vite – për përpjekjet e saj për paqe, bashkëjetesë dhe respekt për diversitetin”, thuhet në postimin e kryeministrit Mickoski në profilin e tij zyrtar në Fejsbuk.
Kryeministri shton se fjalët e tij kanë qenë gjithmonë inkurajuese, ndërsa qëndrimi i tij ndaj popullit tonë ka qenë i mbushur me ngrohtësi dhe respekt.
“Në emrin tim personal, në emër të Qeverisë dhe qytetarëve, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Vatikanit, Kishës katolike dhe të gjithë besimtarëve të pikëlluar sot. Lavdi dhe mirënjohje të përjetshme”, thuhet në ngushëllimet e shprehura të Mickoskit për Papa Françeskun.