Inteligjenca artificiale nuk është më një teknologji e së ardhmes, por pjesë e realitetit të së tashmes, ndërsa pyetja kryesore është se çfarë roli do të ketë Maqedonia në këtë transformim teknologjik, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke folur në “Startup Revolution AI Summit” në Shkup, Mickoski tha se vendi nuk duhet të mbetet vetëm vëzhgues i zhvillimeve të reja teknologjike, por duhet të jetë pjesëmarrës aktiv në to.
“Inteligjenca artificiale nuk është më teknologji e së ardhmes për të cilën flasim dhe përpiqemi të parashikojmë se si do të ndikojë një ditë në jetën tonë. Është teknologji e së tashmes, e cila tashmë po ndryshon mënyrën se si punojmë, mësojmë, komunikojmë, prodhojmë, shërojmë, hulumtojmë dhe krijojmë kompani”, tha Mickoski.
Sipas tij, çështja nuk është më nëse inteligjenca artificiale do të ndikojë në ekonomi dhe shoqëri, pasi ky proces tashmë ka filluar.
“Pyetja e vërtetë është se çfarë vendi do të kemi në atë ndryshim”, theksoi kryeministri.
Mickoski iu drejtua edhe sipërmarrësve dhe drejtuesve të kompanive, duke i inkurajuar që madhësia e tregut vendor të mos jetë kufizim për ambiciet e tyre.
“Maqedonia nuk duhet të jetë vëzhguese e revolucionit të ri teknologjik. Ajo duhet të jetë pjesëmarrëse aktive e tij. Në ekonominë e dijes, gjeografia bëhet më pak e rëndësishme, ndërsa talenti, arsimi, shpejtësia, kreativiteti dhe aftësia për ta shndërruar një ide të mirë në produkt bëhen më të rëndësishme sesa madhësia e territorit apo numri i banorëve”, tha Mickoski.
Ai vlerësoi se ambicia duhet të jetë që idetë, produktet dhe kompanitë e krijuara në Maqedoni të kenë mundësi të rriten dhe të konkurrojnë në tregjet evropiane dhe globale.
“Ndërtojeni Maqedoninë, por mendoni globalisht dhe asnjëherë mos lejoni që frika nga mossuksesi të jetë më e fuqishme se dëshira për të krijuar diçka të re”, porositi kryeministri.
The post Mickoski: Inteligjenca artificiale është teknologjia e së ardhmes, Maqedonia duhet të jetë pjesëmarrëse aktive appeared first on TV-SHENJA.


