Pas regjistrimit të fundit të Olimpit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Greqia synon të përfshijë në katalog edhe Liqenin e Prespës, që ndodhet në kufi me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Në nismën që Greqia e nisi në vitin 2014, këtë herë si aleate ka dy vendet fqinje, me të cilat ndan liqenin e mrekullueshëm, dhe së bashku e promovojnë nismën, me mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian, shkruan gazeta greke “Kathimerini” në artikullin “Prespa e Madhe: Aleancë me qëllim përfshirjen në UNESCO”, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Sipas gazetës, të premten e ardhshme, komuna greke e Prespës do të jetë nikoqire e një takimi të ministrave të kulturës të tre vendeve – Lina Mendoni, Blendi Gonxhja dhe Sedat Sulejmani – ku do të marrë pjesë edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Michalis Rokas, me qëllim planifikimin e hapave të ardhshëm.
Në një pyetje të “Kathimerini”, Rokas tha se BE-ja vendosi, përveç mbështetjes politike, të financojë edhe studimet e para të përshtatshme. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë, me dimensione gjeopolitike, të përpjekjes së përbashkët të tre vendeve fqinje për të mbrojtur dhe afirmmuar pasurinë natyrore dhe kulturore të dhuruar nga natyra, e cila i afron ato, shkruan gazeta.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Prespës, Jorgos Stergiu, ka shprehur entuziazëm për idenë që liqeni, pas Malit të Shenjtë, Meteoras dhe Olimpit, të bëhet monumenti i katërt në Greqi që do të shpallet trashëgimi botërore.
“Sigurisht që jemi pozitivë dhe të gatshëm të ndihmojmë në përpjekjet kudo dhe siç mundemi. Marrëdhëniet tona me fqinjët janë të shkëlqyera. Prej vitesh bashkëpunojmë për mbrojtjen e liqenit dhe realizojmë programe të përbashkëta. Sidomos presim me padurim hapjen e pikës kufitare që është në ndërtim e sipër, e cila do të na lidhë më afër me qendrën turistike të Ohrit”, ka thënë Stergiu.
Ministri i Kulturës i Shqipërisë, sipas “Kathimerini”, i ka thënë agjencisë së lajmeve ATA se rëndësia e nismës është shumë më e gjerë se vetë kandidatura për UNESCO, sepse kjo do të sillte vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj Prespës, më shumë mundësi për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, zhvillim të qëndrueshëm, turizëm më cilësor dhe perspektiva të reja për komunitetet lokale.
Gazeta kujton se ideja për regjistrimin e Liqenit të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nuk është e re, pasi kërkesa nga ana greke është paraqitur zyrtarisht më 16 janar 2014, kur liqeni u vendos në “listën indikatike”, që është faza fillestare para paraqitjes së kandidaturës së plotë.
Tani, me nismën e ministres së Kulturës së Greqisë, Lina Mendoni, “çështja është ngritur në agjendën e Ministrisë dhe të Qeverisë greke, me propozimin që kandidatura të promovohet së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë”.



