Qeveria sot në seancë e ka obliguar Ministrinë e Financave që të sigurojë 30 milionë denarë dhe t’i transferojë Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SHPPP) për të ndihmuar në transportin dhe akomodimin e familjarëve të të lënduarve rëndë nga zjarri në Koçan të cilët po mjekohen jashtë vendit.
Vendimi që u paralajmërua është zyrtarizuar në seancën e Qeverisë dhe në konferencë për shtyp pasdite e kumtoi zëdhënësja e Qeverisë Maria Miteva.
“Në këtë moment mund të informoj publikun se për 58 persona është siguruar transport dhe akomodim. Ky vendim do të vlejë edhe për ata persona që janë larguar para se të merret ky vendim dhe pagesat shtesë mund të bëhen në mënyrë shtesë”, tha Miteva.
Krahas këtij vendimi, ajo bëri të ditur edhe për kontrollet që Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer për licencat e objekteve hotelierike të regjistruara si kabare, klube nate dhe disko klube.