Me rastin e 34-vjetorit të ngjarjeve tragjike të 6 nëntorit 1992 në Bit Pazar të Shkupit, kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vendosur kurora me lule në nderim të katër viktimave që humbën jetën gjatë protestave të asaj kohe.
Mexhiti rikujtoi se më 6 nëntor 1992, katër persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë protestave, në të cilat policia përdori forcë të tepruar. Sipas tij, kjo ngjarje shënon një pikë kthese në angazhimin qytetar të shqiptarëve për barazi dhe respektimin e të drejtave të tyre.
“Sot, 34 vjet më pas, në emër të Komunës së Çairit, vendosëm kurora me lule në nderim të katër viktimave. Në këtë përvjetor, jemi pranë familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe qytetarëve që i mbijetuan dhunës së asaj dite”, deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se breza të tërë kanë këmbëngulur për njohjen dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia e institucioneve sot është mbrojtja dhe avancimi i këtyre të drejtave, por edhe i të drejtave të çdo komuniteti.
“Barazia duhet të shihet çdo ditë në mënyrën se si institucionet i trajtojnë, i mbrojnë dhe u shërbejnë qytetarëve”, theksoi Mexhiti.
Në fund, kryetari i Çairit përcolli mesazhin: “I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të 6 nëntorit”.



