Gjykata Themelore Penale në Shkup ka caktuar paraburgim prej 30 ditësh për Dragan Petrovski – Shtuka dhe një tjetër të dyshuar, M.K., në kuadër të hetimeve ndaj grupit kriminal nga Kumanova, të dyshuar për bashkim kriminal, zhvatje dhe pastrim parash.
Ndërkohë, për të dyshuarin L.K. është caktuar arrest shtëpiak, ndërsa ndaj D.Zh. janë shqiptuar masa kujdesi, përfshirë konfiskimin e pasaportës dhe ndalimin e pajisjes me dokument të ri udhëtimi.
Vendimi është marrë pas propozimit të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, ndërsa të dyshuarit janë marrë në pyetje në prani të avokatëve të tyre.
Sipas Gjykatës, paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë së përsëritjes së veprave penale dhe ndikimit ndaj dëshmitarëve.
Hetimi përfshin edhe një person të pestë, i cili aktualisht është i paarritshëm për organet e ndjekjes.



