Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka njoftuar miratimin e Projektligjit për Medresenë “Isa Beu” në Shkup, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje përfundimtare për një çështje që ka pritur trajtim për vite me radhë.
“Ky vendim i hap rrugë funksionimit të rregullt dhe të ligjshëm të një institucioni të rëndësishëm arsimor, që vepron në përputhje me standardet shtetërore dhe kushtetuese të arsimit të mesëm,” theksoi Mexhiti.
Medreseja “Isa Beu”, me qendër në Kondovë dhe me degë në disa qytete të vendit, do të vazhdojë misionin e saj edukues për gjeneratat e reja, duke respektuar parimet e bashkëjetesës, profesionalizmit dhe barazisë në arsim.
Mexhiti e vlerësoi këtë si një hap të rëndësishëm për konsolidimin e të drejtave arsimore dhe kulturore, si dhe një konfirmim të vullnetit politik për zgjidhjen e çështjeve që prekin drejtpërdrejt komunitetin shqiptar në vend.
“Urime për të gjithë ata që kontribuan në këtë arritje,” përfundon mesazhi i zëvendëskryeministrit.