Al-Hilal ishte forca dominuese e pjesës së parë, duke shënuar 3 gola. Veterani i Premier League, Aleksandar Mitrovic shënoi golin hapës, duke i dhënë epërsinë skuadrës së Arabisë Saudite. Tri minuta më vonë, Abdullah Al-Hamdan e rriti epërsinë, ndërsa Al-Hilal përfitoi nga dominimi i hershëm.
Luis Suarez riktheu Inter Miami në lojë, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën amerikane në minutën e 34-t, por një gol në minutën e 44-t nga Michael i Al-Hilal dhe festa pasuese e frymëzuar nga Cristiano Ronaldo, e dërguan ekipin e MLS në dhomat e zhveshjes më një shije të thartë.
Pjesa e dytë, megjithatë, ishte një lojë krejtësisht ndryshe, pasi Inter Miami u kthye në ndeshje. E para ishte një penallti nga Messi, i cili shënoi golin e tij të parë në parasezon, në minutën e 54-t. Më pas, vetëm një minutë më vonë, David Ruiz shënoi një gol fantastik.
Megjithatë, Al-Hilal do të linte “vulën” e fundit. Një gol nga anësori brazilian Malcom në minutën e 88-të do të siguronte fitoren për skuadrën e Arabisë Saudite, duke prishur shpresat e Inter Miami.
Messi dhe Suarez ishin të dy në listën e golashënuesve, gjë që e pamë shumë herë gjatë mbretërimit të dyshes në fjalë te Barcelona. Në 258 ndeshje së bashku te katalanasit, ata shënuan 406 gola.
Inter Miami do të qëndrojë në Arabinë Saudite edhe për një ndeshje, ku përballja e dytë është më e shumëpritura nga të gjithë. Lionel Messi do të përballet të enjten me Al-Nassr e Cristiano Ronaldos, edhe pse statusi i yllit portugez mbetet pezull për shkak të një dëmtimi të fundit.