Në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Bloomberg-ut, Francine Laqua, Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) foli, ndër të tjera, për luftën në Ukrainë, ndryshimet në politikën amerikane nën Donald Trumpin dhe kërcënimin e nënvlerësuar që Rusia paraqet për shoqëritë evropiane.
I pyetur nëse ishte i përgatitur për një botë në të cilën Shtetet e Bashkuara do të ishin aleate të Rusisë kundër Ukrainës, Merztheksoi se SHBA-ja ka ndërprerë plotësisht financimin për Ukrainën që nga fillimi i vitit 2025. Sipas tij, për gati dy vjet, mbështetja financiare është siguruar nga Koalicioni i të Gatshmëve, i përbërë nga vende evropiane dhe disa vende joevropiane.
“Kjo tregon se ne mund t’ia dalim vetë”, tha Merz, duke shtuar: “Është një barrë e madhe për buxhetet shtetërore dhe një sfidë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, por ne po e përballojmë dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën derisa kjo luftë e tmerrshme të përfundojë.”
Merztha se në çdo takim përpiqet ta bindë Presidentin amerikan Donald Trump se një Evropë e qëndrueshme dhe një Bashkim Evropian i fortë janë gjithashtu në interes të Shteteve të Bashkuara. “Është në interes edhe të amerikanëve”, theksoi Kancelari.
Ndryshimi i qasjes amerikane
I pyetur pse administrata amerikane po ndjek këtë qasje, Merz tha se nën drejtimin e Trumpit, SHBA-ja ka ndryshuar mënyrën e saj të të vepruarit në politikën globale.
“Motoja ‘Ta bëjmë Amerikën Sërish të Madhe’ nuk do të thotë asgjë më shumë sesa: ne veprojmë në mënyrë të pavarur dhe të tjerët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Përgjigjja e Evropës është: ne e kuptojmë këtë. Edhe ne do të veprojmë në mënyrë të pavarur dhe në interesin tonë.”
Gazetarja e pyeti se si do të funksiononte mbështetja për Ukrainën nëse SHBA-ja nuk jep ndihmë financiare.
“Ne i kemi rritur shpenzimet për mbrojtjen në kuadër të NATO-s në pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po e bëjmë këtë brenda Bashkimit Evropian dhe së bashku me aleatët tanë evropianë. Po ashtu, po bashkëpunojmë ngushtë me Kanadanë, e cila sot është më e orientuar drejt Evropës se kurrë më parë. Ne kemi aleatë të vërtetë në botë”, tha Merz.
Ai theksoi se Gjermania është ndër kontribuuesit më të mëdhenj në mbështetjen e Ukrainës për mbrojtjen e saj, gjë që e ka bërë vendin objektiv kritikash dhe sulmesh politike. Kur u pyet nëse qytetarët gjermanë vazhdojnë ta mbështesin këtë politikë, Merz u përgjigj: “Po, ende e mbështesin. Rreth 60 për qind e qytetarëve janë në favor të kësaj politike, ndonëse ka edhe kritikë.”
Merz nuk pret që mbështetja për Ukrainën të zbehet në të ardhmen e afërt, megjithëse një gjë e tillë mund të ndodhë në një moment. “Shpresoj shumë që të kontribuojmë në përfundimin e kësaj lufte. Ky është qëllimi ynë kryesor, jo zgjatja e saj”, tha ai.
Shqetësimi nga nënvlerësimi i kërcënimit rus
Kur Francine Laqua e pyeti nëse kjo nënkuptonte përfundimin e luftës sipas kushteve të Ukrainës dhe jo sipas atyre amerikane apo ruse, Merz u përgjigj: “Ukraina është një shtet sovran dhe kushti themelor është ruajtja e integritetit të saj territorial. Kjo nuk vihet në diskutim.” Në fund të intervistës, i pyetur se çfarë e shqetëson më shumë, Merz tha se është “nënvlerësimi i kërcënimit që Rusiaparaqet për shoqëritë evropiane”.
Ai theksoi se lufta në Ukrainë është vetëm një pjesë e një problemi shumë më të gjerë. “Panorama e përgjithshme tregon se Rusia po përpiqet të destabilizojë të gjithë rendin politik në kontinentin evropian. Është e qartë se shumë njerëz, përfshirë edhe në vendin tim, e nënvlerësojnë këtë rrezik.”
“Njerëzit nuk e kuptojnë se cili është qëllimi i vërtetë i Rusisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin e territoreve në Ukrainë. Ambiciet e saj janë shumë më të gjera”, theksoi kancelari. “Njerëzit në Kremlin kanë frikë nga demokracia, nga shoqëritë e hapura dhe nga suksesi i integrimit evropian. Ata duan ta minojnë këtë sukses dhe tashmë po punojnë për ta arritur këtë.”
Sipas Merzit, shumë njerëz, edhe në Gjermani, vazhdojnë ta nënvlerësojnë këtë kërcënim, i cili shihet çdo ditë. I pyetur nëse sjellja e Shteteve të Bashkuara kontribuon në këtë situatë, Merz u përgjigj: “Shtetet e Bashkuara janë gjeografikisht shumë larg Rusisë. Ky është kontinenti ynë. Rusia është një fuqi evropiane dhe kontinenti evropian po kërcënohet. Kjo është ajo që më shqetëson më së shumti.” / DW



